Kur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte lëshuar një komunikatë për Gani Gecin duke e akuzuar atë se po u printe forcave serbe me maska, ai ishte në rrezik.
Por kishte qenë Sami Lushtaku ai që e ka mbrojtur. Një gjë të tillë e ka thënë vet Lushtaku në emisionin “Komiteti”.
“Për mua ka qenë e papranueshme realisht ajo që ka ndodhë me Gani Gecin. Unë dhe Gani Geci mund të kemi dallime të ndryshme mes vete, por ajo që është e vërtetë, është e vërtetë, se Gani Geci ka qenë në atë kohë, kur është akuzuar, në shtëpinë time”, ka thënë Lushtaku.
Madje Lushtaku i cili pas përfundimit të luftës ka qenë kundërshtar kryesor me Gecin për shkak të dallimeve politike ka thënë se ai nuk ka qenë fajtori për këtë raport mes tyre gjatë luftës kur Geci ishte në FARK e Lushtaku në UÇK.
“Ka qenë ushtar dhe e kam respektuar si ushtar dhe pjesëtar i UCK-së. Dallimet kanë filluar më vonë jo për shkak të Ganisë por për shkak të vëllezërve të tij, të cilët kanë deshtë që ta mbajnë ato formacionet që kanë qenë UCK dhe FARK dhe nuk ia kanë arritur qëllimit sepse nuk kanë pasur përkrahës”, ka thënë Lushtaku./Insajderi.com