
Astrit Haraqija e ka lavduar reagimin e deputetës së zgjedhur të LDK-së, Teuta Rugova, pas takimit që ajo pati sot me të nominuarin e koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj.
Haraqija ka thënë se Teuta Rugova ka treguar guxim me reagimet e saj. Ka thënë se “lum zoti që e ka lënë familjen e mrekullueshme Rugova”.
“Vajza e babës, ose qysh thonë në Gjakovë, çika e babës. U emocionova me guximin e vajzës që ka 26 vjet, s’ka më shumë. Lum zoti që e kam pasë unë fatin me taku presidentin Rugova dhe lum zoti që e ka lënë këtë familje të mrekullueshme”, ka thënë Haraqija për Rrokum TV.
Deputetja e LDK-së Teuta Rugova, pas takimit të sotëm me Ramush Haradinajn, ka ftuar partinë e vet që ta votojë qeverinë e PAN-it me në krye Ramush Haradinjan, transmeton Koha.net.
Ajo për këtë ftesë është thirrur në atë që e ka quajtur “bashkëpunim i babait të saj Ibrahim Rugova me Ramush Haradinjan”.
“Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së, që në Qeverinë e gjerë dhe stabile që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-të dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës, e që janë: formimi i ushtrisë, zgjidhja e problemit të demarkacionit që do të rezultonte me liberalizim vizash, reforma zgjedhore dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ajo në facebook. /Insajderi.com