Rrëfimi i banorit të Kukësit që i shpëtoi sulmit të ariut

Rrëfimi i banorit të Kukësit që i shpëtoi sulmit të ariut

Një 45-vjeçar nga Kukësi ka rënë pre e një  sulmi nga një ari. Fatmirësisht ai ka shpëtuar, ndonëse është ndeshur me kafshën e egër, e cila e ka plagosur në gjymtyrët e sipërme.

Babai i 5-fëmijëve në një rrëfim për Channel One, thotë se ka përjetuar moment vërtetë të frikshme, por falë ndihmës që i ka dhënë qeni i tufës së bagëtive, ai ka arritur të mbijetojë.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës së një dite më parë, ku siç rrëfen Fasli Karaxha, arusha e ka ndjekur nga pas, duke bërë që ai të ndeshet me të, ndonëse frika ka qenë e madhe dhe ai është plagosur në gjymtyrët e sipërme.

“Unë kam qenë në bjeshkën e fshatit, duke kullotur tufën time të bagëtive. Ne e dinim që arusha apo ariu mund të na bënte dëme në blegtori, por që të na ngacmonte edhe ne, jo.

Në bjeshkën tonë bari është shumë i madh dhe kur e pashë në fillim mu duk e vogël, por kur mu afrua pas shpine u tremba shumë.

Fatmirësisht isha me qenin e tufës së deleve dhe ai më ndihmoi shumë. U ndeshëm, pasi e kapa nga veshët dhe e vura poshtë, por ishte shumë e madhe dhe falë ndërhyrjes së qenit mu largua.

“Më ka goditur në dorën e djathtë dhe kam pasur shumë gjakderdhje. Menjëherë kam njoftuar infermierin dhe kam përfunduar në spital. E them me bindje se, kafshët e egra janë shtuar, pasi edhe moratorium i gjuetisë ka ndikuar për shtimin e tyre. Kam përjetuar një frikë të paparë,”-është shprehur Fasliu.

Edhe banorët e tjerë të fshatit thonë se kafshët e egra janë shtuar shumë kohëve të fundit, ku moratorium i gjuetisë, duket se ka ndikuar për shumimin e tyre.

Megjithatë, ata thonë se të tilla kafshë kanë filluar të kthehen në shqetësim, sakohë që po dëmtojnë kulturat bujqësore, por edhe tufat e bagëtive.

“Kanë ndodhur ngjarje të tilla, por shumë të rralla. Ne i shohim çdo ditë, kryesisht në orët e vona të mbrëmjes, por që të dalin ditën në stanet tona kjo është hera e parë që ndodh.

Nuk i vrasim dot, pasi është e ndaluar, por po na krijojnë probleme edhe për bagëtitë,”- thonë banorët e zonës.

Në fshatrat e thellë të qarkut të Kukësit, kafshët e egra si ujku, ariu, dhelpra etj janë të shumtë, ku banorët e zonës prej kohësh i kanë dhënë fund edhe gjuetisë pa kriter, duke krijuar një klimë të favorshme për shtimin e tyre.