Vetëvendosje kërkon që koalicioni PDK-AAK-Nisma të gjejë një tjetër të nominuar për kryetar të Kuvendit të Kosovës, pasi siç ka thënë deputeti i zgjedhur i VV-së Rexhep Selimi, Kadri Veseli nuk është figurë e përshtatshme për kreun e kuvendit.
Në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, Selimi ka deklaruar se e kaluara e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është arsyeja përse Vetëvendosje nuk do ta votojë Veselin, nëse ai do të jetë edhe zyrtarisht i nominuari i PAN-it për kryeparlamentar.
“Sa i përket votimit për kryeparlamentar, Vetëvendosje nuk e voton kandidatin e PAN-it aktual për kryeparlamentar, ne kërkojmë që ata të gjejnë një figurë tjetër”, ka thënë Selimi.
Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje ka shpjeguar arsyet për këtë qëndrim të Vetëvendosjes.
“Për shkak të kaluarës dhe qasjes së tij, çfare e ka pasur në të kaluarën e tij”, deklaroi Rexhep Selimi për Insajderin.
Ndërkaq, edhe kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila deklaroi sot për Insajderin se Kadri Veseli nuk do të merrte numrin e mjaftueshëm të votave për kryeparlamentar, “nëse votimi do bazohej në vullnetin e lirë të deputetëve”. /Insajderi.com