Pendimi i të riut në gjykatë që vrau babain dhe plagosi nënën

Pendimi i të riut në gjykatë që vrau babain dhe plagosi nënën

“Për mua, im atë nuk do vdesë kurrë”. Me këtë fjali Mirald Metallari shprehu pendesën dhe dëshpërimin për krimin e pak ditëve më parë, që i mori jetën Miftar Metallarit dhe dërgoi në spital të plagosur të emën, Nurien.

Mes lotëve, Miraldi i tha gjyqtarëve se tashmë jetonte vetëm për të ëmën dhe dy motrat e tij. I riu u la në arrest me burg nga gjykata, pas kërkesës së prokurorit që shpjegoi edhe njëherë se çfarë ndodhi në familjen Metallari tre ditë më parë.

Miftari së bashku me të birin po restauronte banesën, tha prokurori. Sipas tij, në një moment Miraldit i ra karroca me ilaç dhe babai e goditi të birin me grusht.

Më pas, vijoi prokurori, i riu vrapoi për të marrë armën e shërbimit të viktimës, i cili ishte efektiv policie dhe pas përpjekjeve të së ëmës për të parandaluar fatkeqësinë edhe ajo është qëlluar me armë.

Teksa prokurori rindërtonte skenën e krimit, i riu në heshtje fshinte lotët. Siç parashikon ligji, për autorët e krimeve në familje, ai rrezikon nga 35 vjet heqje lirie deri në burgim të përjetshëm.