Dy ish-zyrtarë të lartë të Shërbimit të fshehtë maqedonas janë arratisur pasi Gjykata e Lartë e vendit e rikonfirmoi vendimin e Gjykatës themelore dhe të Apelit në Shkup për caktimin e masës së paraburgimit të tyre.
Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski janë dy nga të akuzuarit e lëndëve gjyqësore të koduara si “Kështjella” dhe “Target” të Prokurorisë së Posaçme e që kanë të bëjnë me përgjimet e paligjshme të bisedave telefonike të mbi njëzet mijë qytetarëve të Maqedonisë.
Grujevski si ish-shef i Drejtorisë së pestë në Ministrinë e Punëve të Brendshme akuzohet edhe për fshirjen nga kompjuterët të bisedave të përgjuara dhe për shkatërrimin e pajisjeve të Drejtorisë për përgjim, në mënyrë që të mos lërë gjurmë të skandalit që u bë publik para më shumë se dy vjetësh.
Autoritetet policore maqedonase kanë kërkuar ndihmë nga Interpoli për gjetjen dhe kapjen e tyre, pasi ata nuk ishin gjetur në shtëpitë e tyre as në vendet ku policia mendonte se mund të ndodheshin. Sipas medies në Shkup, dy të kërkuarit kishin lënë telefonat celularë në shtëpitë e tyre për të pamundësuar identifikimin e vendndodhjes e tyre.
Prokuroria e Posaçme akuzon edhe një numër të madh ish-zyrtarësh qeveritarë, si ish-kryeministrtin Nikolla Gruevski, ish-ministrat Gordana Jankullovska, Mile Janakievski, Elizabeta Kançevska Milevska, Vllado Peshevski dhe ish-shefin e Shërbimit sekret Sasho Mijallkov.
Ky i fundit është në lidhje të afërta familjare me z. Gruevski.
Për shumicën e tyre gjykatat në Shkup kanë urdhëruar vetëm “masat e kujdesit”, apo marrjen e pasaportave dhe ndalimin e largimit jashtë shtetit si dhe paraqitjen e shpeshtë në gjykatë. Por, asnjëri prej zyrtarëve të lartë të pushtetit të kaluar nuk është paraburgosur, me gjithë provat e shumta të Prokurorisë së Posaçme për përfshirjen e tyre në vepra jo të ligjshme dhe kriminale.
Partia opozitare VMRO-DPMNE akuzon Prokurorinë e Posaçme se, siç thuhet, është shndërruar në një mjet të Lidhjes Social Demokrate për përndjekjen e zyrtarëve opozitarë “vetëm për shkakun se ia kanë zënë rrugën politikës kundër-shtetërore dhe destruktivitetit të LSDM-së”, ndërsa fajëson kryeministrin Zoran Zaev për planet “për shitjen e emrit të Maqedonisë”./VOA