Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit, për tremujorin e dytë (TM2) 2017, me të dhëna mbi transportin ajror, hekurudhor dhe postë telekomunikimin.
Rritje më e dukshme është shënuar në transportin ajror pasi që ka pasur një ngritje vjetore prej 5.4 për qind të numrit të fluturimeve, duke krahasuar tremujorin e dytë të vitit të kaluar me atë të këtij viti.
Por edhe udhëtarë të cilët përdorin këtë mjet transporti ka pasur më shumë.
“Numri i udhëtarëve, që e kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti është rreth 465 mijë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2016) është një rritje për 9.15%”, shkruan në komunikatën për media të lëshuar nga ASK.
Sipas ASK-së ka pasur rritje për 9,19 për qind të numrit të pasagjerëve që shfrytëzojnë trenin si mjet udhëtimi. Nga 52 mijë udhëtarë sa ishte në tremujorin e parë (TM1), numri ka shkuar në 57 mijë persona.
Përpos numrit të pasagjerëve ka pasur edhe rritje të transportit të mallrave me tren.
“Transporti i mallrave me tren në tremujorin e dytë të vitit 2017 ishte 132 mijë tonë, ku në raport me tremujorin e parë të vitit 2017 ka pasur një rritje prej 35.41%”, shkruan në raportin e statistikave.
ASK tregon se në territorin e Kosovës, kemi gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport dhe 110 privatë, derisa qarkullojnë 8 lokomotiva disel, të cilat bartin 27 vagonë, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh. /Insajderi.com