Zv/kryeministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka thënë se serbët e Kosovës e përkrahin presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq për iniciativën që çështja e Kosovës të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.
Edhe serbët e Graçanicës thonë se në Kosovë ka ndodhur një realitet i ri dhe se presidenti i Serbisë është njeriu ideal që t`i definojë raportet ndërmjet dy vendeve.
Serbët e Kosovës e kanë mbështetur iniciativën e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq për dialogun me Kosovën. Kështu thuhet në një deklaratë të zyrës së zëvendëskryeministrit në detyrë në qeverinë e Kosovës, Branimir Stojanoviq.
Siç thuhet në deklaratë, mbështetja e nismës për dialog të brendshëm është dhënë duke pasur parasysh rrethanat në të cilat serbët jetojnë në Kosovë, por edhe për shkak se ata kanë shumë besim në presidentin Aleksandër Vuçiq.
“Serbët në Kosovë janë të gatshëm për të vazhduar me qeverinë e tyre të Serbisë dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, të ecin me guxim përpara, në mënyrë që fëmijët tanë të mund të jetojnë mirë dhe në mënyrë të lirë duke mos pasur frikë çdo herë kur të shkojnë te fqinjët (shqiptarë) në dyqan, në një ndeshje futbolli apo kudo tjetër“, thuhet në këtë deklaratë.
Edhe qytetarët serbë të Kosovës kanë mirëpritur idenë e presidentit të Serbisë, që çështjet mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen njëherë e përgjithmonë. Presidenti serb ka deklaruar se qëndrimi i liderëve të Beogradit zyrtar karshi Kosovës është thjesht një rrugë pa krye për Serbinë në raport me Bashkimin Evropian dhe të ardhmen e Serbisë.
Qytetarët serbë që jetojnë në Graçanicë thonë se që nga viti 1999 në Kosovë ka ndodhur një realitet i ri dhe se këtë tashmë e dinë edhe serbët në Kosovë, ata në Serbi, por edhe liderët e Serbisë. Sipas tyre, presidenti i Serbisë është njeriu ideal që njëherë e përgjithmonë t`i definojë raportet ndërmjet dy vendeve.
“Është mirë që kjo çështje të kryhet tash sesa pas 100 vjetësh. Kosova dhe Serbia duhet t`i kalojnë barrierat që kanë, mos ta pengojnë njëra tjetrën në rrugën e tyre në anëtarësim përfshirë këtu edhe në organizata të ndryshme rajonale e ndërkombëtare. Është mirë të pranohet Kosova, një vend që tashmë është njohur nga më shumë se 114 vende të botës. Realiteti është realitet dhe ne nuk mund të jetojmë më me mite“, ka theksuar një qytetar.
E banorët tjerë të kësaj komune thonë se njohja e Kosovës nga Serbia dhe qëndrimet e fundit të Serbisë ndaj Kosovës kanë një adresë tjetër. Sipas tyre janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që vendosin për këtë.
“Kjo nuk varet as nga serbët, as nga shqiptarët. Ne nuk kemi në dorë asgjë, kjo është çështje e Amerikës. Krejt ata çka mendojnë do të ndodhë, jeta më herët ka qenë më mirë sesa tash dhe këtë e dinë edhe shqiptarët, por edhe serbët”, ka theksuar një qytetar tjetër.
Ndërsa, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel duhet të përfundojë me njohjen e dy vendeve.