Pesë takimet diplomatike të Vetëvendosjes pas 11 qershorit

Pesë takimet diplomatike të Vetëvendosjes pas 11 qershorit

Pas zgjedhjeve të 11 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka hapur dyert për ambasadorët e shteteve të huaja, gjë që nuk ishte aq e zakonshme para zgjedhjeve të 11 qershorit.

VV ka zhvilluar një sërë takimesh me ambasadorët e shteteve të jashtme në Kosovë. E takimi i fundit ishte këtë të hënë me ambasadoren gjermane Angelika Viets.

Gjatë takimeve të zhvilluara përfaqësuesit e Vetëvendosjes, ndër ta edhe kandidati për kryeministër Albin Kurti, kishin biseduar kryesisht për gjendjen momentale politike e ekonomike në Kosovë dhe mundësitë për përmirësime dhe bashkëpunime, dhe gatishmërinë e Vetëvendosjes për të drejtuar qeverinë.

Vetëvendosje kishin filluar me prezantimin e 40 pikave të tyre si prioritete përmes të cilave synonin ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit. Por përmendja e këtyre 40 pikave kishte munguar në dy takimet e fundit.

Së pari, më 3 korrik, Vetëvendosje kishin zhvilluar takim me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.

Në takim nga radhët e Vetëvendosjes morën pjesë Albin Kurti dhe Dardan Sejdiu të cilët me ambasadoren kishin diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit, dhe 40 masat konkretet për konsolidimin e zhvillimin e shtetit të Kosovës.

Kurti së bashku me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, dy ditë më vonë, më 5 korrik, kishin vazhduar me takim me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.

Në këtë takim ishte diskutuar mbi situatën politike, formimin e qeverisë së ardhshme, dhe Kurti e Ymeri kishin njoftuar më detajisht ambasadorin austriak për planin me 40 prioritetet. Në këtë takim ata kishin shprehur edhe qëndrimet mbi dialogun me Serbinë.

Kurti e Ymeri dy ditë më vonë, më 7 korrik, kishin vazhduar takimet me ambasadorë, e kësaj radhe me ambasadorin e Suedisë, Henrik Nilsson, dhe ambasadoren e Finlandës, Anne Huhtamäki.

Përveç prezantimit të 40 pikave të Vetëvendosjes, ata kishin diskutuar veçanërisht mbi modelin ekonomik që e parasheh Alternativa qeverisëse, me qëllimin që të luftohet varfëria dhe të mundësohet mirëqenia për të gjithë.

Takimi i  radhës, më 21 korrik, ishte me ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie.

Kurti së bashku me Glauk Konjufcën kishin biseduar me Delawien për zgjedhjet e 11 qershorit, formimin e institucioneve të legjislaturës së gjashtë dhe sfidat e qeverisë së ardhshme.

Kurti e Konjufca patën dhe një takim, sot më 31 korrik, me ambasadoren gjermane Angelika Viets.

Në këtë takim u diskutua rëndësia dhe mundësitë e bashkëpunimit midis Kosovës e Gjermanisë.

Vetëvendosje ka lajmëruar përmes një postimi në Facebook se ishte biseduar në veçanti për zhvillimet politike në Kosovë në prag të seancës konstituive të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ambasadorja Viets me këtë rast kishte uruar Kurtin dhe Konjufcën për rezultatin e zgjedhjeve dhe kishte shprehur përkushtimin e saj për mbështetjen e cilësdo shumicë parlamentare që formon qeverinë e ardhshme në Kosovë. /Insajderi.com