Për ish ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kërkesa e Bosnjes dhe Hercegovinës e publikuar në Insajderi të enjten, që të hapen bisedime me Kosovën me ndërmjetësimin e Komisionit Evropian, është kërkesë absurde.
Sipas Hoxhajt që tash drejton Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvend, vendimi për sjellje reciproke nga ana e Kosovës i marrë në vitin 2014 në raport me BeH dhe vendosjen e regjimit të vizave duhet të mbetet në fuqi derisa Bosnja e heq masën e njëjtë reciproke ndaj Kosovës, raporton Insajderi.
“Po ashtu, askush nuk ka nevojë të ndërmjetësoj për një takim bilateral ndërshtetëror në mes të Kosovës dhe BiH por duhet në bazë të vullnetit të mirë të diskutohen heshtjet në mes veti. Është ide e gabuar dhe e panevojshme që dikush nga BE-ja të ndërmjetësoj. Ne nuk kemi qenë në gjendje lufte, jemi shtete të pavarura dhe si të tillë duhet të sillemi”, ka thënë Hoxhaj për Gazetën Insjaderi.
Nga ana e Kosovës, sipas ish ministrit Hoxhaj, gjithnjë ka pas vullnet të hiqen vizat për qytetarët e Bosnjes por këtë duhet ta bëjë edhe vetë shteti boshnjak.
“Megjithatë, është në interes të të dy palëve që të bisedojnë në mënyrë të hapur, direkte dhe pa paragjykime”, ka thënë Hoxhaj.