PDK zyrtarisht ende s’ka kandidat për kryetar Kuvendi

PDK zyrtarisht ende s’ka kandidat për kryetar Kuvendi

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se lideri i saj Kadri Veseli e ka mbështetjen e partisë, por edhe të koalicionit për postin e kreut të Kuvendit.

Megjithatë, Krasniqi ka thënë se kjo nuk është vendosur ende zyrtarisht, por që shumë shpejtë mund të bëhet e ditur.

“Ju e dini se mbështetja e plotë e PDK-së është për Kadri Veselin. Por unë sot nuk mund t’ua them si fakt të kryer. Por për këtë do të vendoset me kohë”, ka thënë Krasniqi pas regjistrimit si deputet i legjislaturës së VI të Kuvendit.

Ai ka shtuar më tej se nuk e di nëse kësaj here do të jetë vetëm deputet, apo do ta ketë ndonjë pozitë në qeverinë e ardhshme.

Për këtë ai ka thënë se do të vendoset ditëve në vazhdim. Megjithatë, Krasniqi ka thënë se nuk do ta refuzonte një gjë të tillë nëse i kërkohet.

Sa i përket takimeve të koalicionit PAN me Listën Serbe, Krasniqi nuk ka dashur të japë detaje, duke shtuar se gjithçka do të shihet në seancën e 3 gushtit.

“Unë nuk kam qenë pjesë e diskutimeve dhe takimeve. Por me datën 3 gusht do të shihet votimi”, ka thënë ai.

Rreth çështjes së numrave, Krasniqi ka thënë se kjo çështje është devalvuar deri në atë masë saqë deputetët quhen numra.

“Mendoj se asnjëherë nuk është dashur që t’i devalvojmë deputetët dhe t’i quajmë numra. Ne e kemi mbështetjen e mjaftueshme për formimin e qeverisë dhe për konstituimin e Kuvendit”, ka shtuar Krasniqi./Insajderi.com