Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) konsideron se kërcënimet me vdekje të udhëheqësve të shtetit, BIK dhe komunës së Prishtinës përmes grafiteve është akt i papranueshëm dhe i dënueshëm për shoqëritë normale.
“Institucionet e vendit e as udhëheqja e BIK-së nuk ndikohet nga individë të natës që thërrasin në dhunë e mbjellin urrejtje e mosdurim. Jemi të bindur që autorët dhe mentorët e këtij veprimi qyqar nuk paraqesin qëndrimin e qytetarëve të Prishtinës e as të vendit”, thuhet në komunikatën e BIK-ut.
BIK këtë veprim e konsideron të izoluar dhe fton qytetarët e sidomos studentët që të mos bien pre e individëve që thërrasin në dhunë, përhapin shpifje dhe i kontribuojnë urrejtjes e mosdurimit.
“Feja dhe objektet fetare te ne gjithherë kanë qenë në funksion të paqes, mirëkuptimit, tolerancës e harmonisë. E tillë do jetë edhe xhamia Qendrore e Prishtinës. Ftojmë organet kompetente që autorët e këtij akti të sillen para drejtësisë”, thuhet në komunikatën e BIK-ut.
Për më tepër, gjatë ditës së sotme Insajderi ka raportuar për disa grafite të shënuara në objektin e Fakultetit Filologjik, që përmbanin mesazhe kërcënuese për presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin dhe myftiun e Kosovës, Nain Tërnava./Insajderi.com
Lexo edhe këtë në Insajderi:
KOLEGJI UNIVERSUM, I VETMI PA ASNJE PROGRAM TË SUSPENDUAR NGA AKREDITIMI