Tre deputetët që përfituan mbi 200 mijë euro duke neglizhuar punën e Kuvendit

Tre deputetët që përfituan mbi 200 mijë euro duke neglizhuar punën e Kuvendit

Një numër deputetësh kanë përfituar dhjetëra mijëra euro paga dhe honorare nga Kuvendi i Kosovës, edhepse vetëm në disa raste kanë qenë të angazhuar në vendimmarrjen parlamentare.

Përveç deputetes së LDK-së, Teuta Rugova, e cila ishte kritikuar për mosaktivizim në legjislaturën e kaluar, janë edhe së paku tre deputetë të tjerë që kanë neglizhuar thuajse në tërësi punën.

Agron Demi, ish-drejtues i Institutit GAP dhe aktivist i zëshëm i shoqërisë civile, duke u bazuar në të dhënat e KDI-së, ka thënë se deputetët Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj e Blerim Shala hynë në grupin e deputetëve më pak aktivë.

Sipas tij, Blerim Shala ka folur vetëm në një seancë parlamentare dhe ka përfituar rreth 100 mijë euro nga paga e deputetit dhe paga e pjesmarrjen në negociata.

“Fatmir Limaj: ka hedhur votën 3 herë / nga 363 çështje që kanë dalur në diskutim (njëra nga votat ka qenë rrëzimi i qeverisë) = (+/-) 55,000 euro kompensim. Ramush Haradinaj: në krejt mandatin e tij prej deputeti ka marr pjesë vetëm dy here në votime (edhe i ka ra filikaqes një here) = (+/-) 50,000 euro kompensim”, ka shkruar Demi në llogarinë e tij në Facebook.

Limaj, Haradinaj, dhe Rugova janë zgjedhur sërish si deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare në vend.