Versioni i Haradinajt për takimin me Grabovcin dhe dy sekserët e PAN-it

Versioni i Haradinajt për takimin me Grabovcin dhe dy sekserët e PAN-it

Daut Haradinaj ka mohuar të ketë qenë ai njëri nga personat që ka vendosur fatin politik të deputetës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Teuta Rugova. Deputeti i zgjedhur nga radhët e AAK-së ka thënë se nuk ka qenë i përfshirë në procesin e bindjes së Rugovës për votimin e Ramush Haradinajt për kryeministër.

Insajderi ka raportuar sot për takimin mes ish-shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, deputetit të AAK-së dhe vëllait të Ramush Haradinajt, Dautit, ish-ministrit Dardan Gashi dhe djalit të vogël të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukës.

Burimet e Gazetës Insajderi kanë treguar se ky grup ka pasur rolin kryesor që Teuta Rugova të rreshtohet në anën e PAN-it, siç edhe ka ndodhur në seancën e parë konstituive që dështoi në mungesë të numrave të koalicionit të PDK-së.

Në një reagim në Facebook, Daut Haradinaj nuk ka mohuar të jetë takuar me tre personat e tjerë, por ka thënë se ai, Grabovci, Gashi dhe Ukë Rugova nuk kanë biseduar për fatin politik të Teuta Rugovës.

“Unë mund t’iu them se unë e filanat e fistekët që janë zënë në gojë, këtë gjë e kemi marrë vesh nga mediat. Kaq kemi qenë të përzier në këtë proces. Po ‘rrena e marrja, hala nuk e kanë çelë varrë kërkend në këtë vend'”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se nuk do të merret me ato që ai i ka quajtur “shpifje të flliqta”.

“Veç vazhdoni se një ditë do të turpëroheni nga fjalët e rrenat tuaja, sepse unë kam punë me të mençur, se sa të merrem me denoncimin e shpifjeve të flliqta që bëni”, ka deklaruar deputeti i AAK-së./Insajderi.com