Vetëvendosje: Brenda muajsh, PDK rrezikon zhdukjen

Vetëvendosje: Brenda muajsh, PDK rrezikon zhdukjen

Lëvizja Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur akuzave të shumta që Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë qeverisjes së VV-së në Komunën ePrishtinës dhe kryetarit  Shpend Ahmeti.

Me këtë rast, në një konferencë për shtyp, anëtari i VV-së, Xhelal Sfeçla ka lëshuar akuza ndaj PDK-së, për të cilën po ashtu ka thënë se “brenda muajsh rrezikon rënien tjetër në zgjedhje, e që mund të shkojë drejt zhdukjes”.

“Ne nuk kemi asnjë respekt e as mirëkuptim për këtë luftë të ndyrë të PDK-së, por megjithatë e kuptojmë. Një parti që më 11 qershor e ka konfirmuar opozitën e saj, kurse brenda muajsh rrezikon rënien tjetër e që mund të shkojë drejt zhdukjes”, ka thënë Sfeçla, në një konferencë për gazetarë.

Sipas Vetëvendosjes, PDK po sulmon Lëvizjen Vetëvendosje për një arsye.

“Realisht edhe në nivel vendi edhe në Komunën e Prishtinës, PDK është subjekti i tretë. Kjo nuk është hera e parë që PDK-ja mundohet përmes akuzave të tërheq vëmendjen nga problemet reale në të cilat po kalon Kosova”, ka thënë Sfeqla, raporton Insajderi.

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar PDK-në e Kadri Veselit se “nuk e ka problem” bashkëpunimin me Serbinë.

“Përmes këtyre akuzave ne kemi parë se atyre [PDK-së v.j] u pengon Gjakova, Theranda dhe Podujeva, por nuk e kanë problem të bëjnë koalicione me Krushevcin e Beogradin”, ka thënë Sfeçla. /Insajderi.com