
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli sipas të gjitha gjasave do të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit. Pasi vet e kishte thënë se mund të tërhiqej, mbrëmë njëri nga nënkryetarët, Rexhep Hoti tha se Veseli do të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të Kuvendit.
Tash edhe një nënkryetar tjetër e konfirmon këtë.
Nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami, ka bërë me dije se kandidat i vetëm i koalicionit PAN për kryetar të Kuvendit është Kadri Veseli.
Në një intervistë për ‘Epokën e Re’, ai ka deklaruar se, pavarësisht se Veseli ofroi gatishmëri për të hequr dorë nga posti i kryeparlamentarit, partitë e tjera nuk reflektuan dhe kështu që PDK-ja nuk do të bëjë më asnjë kompromis rreth kësaj çështje.
Bajrami ka mohuar se me një veprim të tillë PDK-ja është duke e bllokuar formimin e institucioneve të vendit.
Sipas tij, bllokuesit janë ata që po tentojnë t’ia mohojnë një të drejtë kushtetuese PDK-së, zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Ai ka treguar për gatishmërinë e PAN’it për të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstuituive të enjten dhe për ta popozouar Veselin kandidat për kryetar të Kuvendit.