Organet e rendit në Kosovë kanë njoftuar se 11 personave të ndaluar nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror, me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për vazhdim të procedurës së mëtejshme ligjore.
Të martën, autoritetet e sigurisë në Kosovë, kanë ndaluar pesë qytetarë serbë dhe gjashtë rusë, për siç është thënë, kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror nga Serbia në Kosovë.
“Policia Kufitare gjatë kontrollit, ditën e martë,të dy automjeteve ‘Mercedes’, kombi ngjyrë e bardhë, më targa të Serbisë, janë ndaluar gjithsej njëmbëdhjetë (11) persona të dyshuar, nën dyshimin e bazuar për kalim të paautorizuar të kufirit shtetëror”, thuhet në njoftimin për media.
Autoritetet kanë thënë gjithashtu se paraprakisht kishin siguruar informacione se në lagjen e quajtur “Sekiraqa”, në fshatin Metergofc të Podujevës, pritet të hyjnë në mënyrë të paligjshme disa shtetas serbë dhe rusë.
Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, përmes një komunikate, ka thënë se e dënon fuqishëm arrestimin e qytetarëve serbë dhe rusë, duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.
Sipas tij, në mesin e të arrestuarve gjendet një grua shtatzënë dhe një person i moshës jomadhore.
Duke e cilësuar këtë veprim të autoriteteve të Kosovës, si përpjekje për politizim, Gjuriq ka thënë se nga zyra që ai udhëheq, të arrestuarve u është ofruar ndihma ligjore./REL