Në një bisedë telefonike që ka zgjatur mbi 20 minuta, kryeministri Rama ka marrë urimet nga Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, për fitoren e zgjedhjeve.
Tillerson ka shprehur bindjen se mandati i fortë që Partia Socialiste ka marrë për të qeverisur e vetme, e detyron këtë forcë politike të thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit, njofton Top Channel.
Kryediplomati amerikan i ka shprehur gjithashtu kryeministrit shqiptar mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri, ndërsa i ka shprehur edhe përshtypjet shumë pozitive të zv.presidentit Mike Pence, nga takimi i javës së kaluar në Mal të Zi, ku u rikonfirmua vullneti amerikan për një vëmendje të përqëndruar në zhvillimet e rajonit të Ballkanit.
Rama, nga ana e tij, e ka falënderuar Sekretarin amerikan të Shtetit për telefonatën dhe i ka bërë një pasqyrë të plotë të situatës rajonale nga këndvështrimi i shtetit shqiptar, duke u fokusuar kryesisht te dialogu Kosovë-Serbi, si dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit të emrit të Maqedonisë. Veç këtyre, kryeministri Rama ka kërkuar edhe intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA-të në sektorin e energjisë, e posaçërisht të naftës dhe gazit, e pritur me shumë interes nga kryediplomati amerikan.