Me shenja jobesnikërie, Pacolli kthen vëmendjen politike kah vetja

Me shenja jobesnikërie, Pacolli kthen vëmendjen politike kah vetja

I pari i Aleancës Kosova e Re, (AKR), Behgjet Pacolli, i ka dhënë një ultimatum njërit prej partnerit të tij të koalicionit, Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), që nëse brenda dhjetë ditëve nuk merren vesh me Lëvizjen Vetëvendosjes për formimin e Qeverisë, atëherë qëndrimi i tij në koalicionin LAA, është e pakuptimtë.

Mirëpo Pacolli nuk ka përjashtuar mundësin e votimi të kandidatit për kryeministër të koalicionit PAN, Ramush Haradinaj.

Gjatë ditës së djeshme i pari i AKR-së kishte njoftuar se ka pritur në një takim në shtëpinë e tij, Haradinajn.

“Z. Haradinaj sot më ka vizituar në familje. Ora 10 ka ardhur në familjen time. Kemi pasur dy orë biseda të hapura, bile jashtë në terasë. Kemi bisedu gjerë e gjatë për brengat, për pasojat e vonesës së formimit të institucioneve, për përparësitë që Kosova do të këtë me këtë qeverisje, dhe për mangësitë”, ka thënë Pacolli.

“Unë nëse e shoh do të ishte vota ime që e determinon e krijon mundësinë e një qëndrueshmërie në qeverinë Haraidinaj do ta votoja. Edhe pa qenë pjesë e qeverisë”, ka thënë Pacolli.

Por Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj ultimatumit që kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i ka vënë asaj dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që brenda 10 ditësh të bëjnë me dije nëse mund ta formojnë qeverinë e re të vendit.

Në këtë parti thonë se Pacolli nuk mund të japë ultimatume dhe afate.

Por Pacolli është shprehur se ka një problem lidhur me partnerin e tij të koalicionit, LDK-në edhe pse ai ka thënë nuk dëshiron të qëndroj duarkryq.

“Problemi është që disi nuk mundem unë me prishe kontratën me partnerin tim dhe e dyta, por edhe nuk do të them se kjo kontratë është pa limite kohore”, ka thënë ai, duke iu referuar koalicionit me LDK-në dhe Alternativën.

“Nuk është natyra ime. Mua më duhet me ec, me vepruar, me kriju. Nëse nuk e bëj këtë, unë nuk jam Behgjet Pacolli. Le ta din edhe partneri im se unë nuk mund të rri duarkryq e të pres ndonjë skenar. Këtë ja kam thënë edhe Mustafës”, ka thënë Pacolli në një intervistë për RTK-në.

Për këtë Pacolli kishte marr edhe një urim nga deputeti i koalicionit PAN, Zafir Berisha.

“Reflektimi pozitiv i B.Pacolli lidhur me situatën më të cilën gjendet vendi është për tu përshëndet… Natyrisht atij dhe AKR-së i duhet një ndihmë shtesë ne refleksionin e tij, prandaj mendoj se dy deputetë minoritarë Emilja Rexhepi dhe Veton Berisha duhet ta sigurojnë Behxhetin se do të jenë në grup parlamentar me të, që ai të bëjë një hap të madh në interes të Kosovës të cilës ju referua shumë herë gjatë prononcimit të vetë”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Ndërkohë nënkryetari i parë i kësaj partie, këngëtari turbo-folk ka pasur së fundi disa takime me udhëheqës të Partisë Demokratike të Kosovës, për votën e tij pro kandidati për kryeparlamentar, Kadri Veseli dhe pro kandidatit për kryeministër Ramush Haradinaj. /Insajderi.com