Haradinaj: Është krijuar një situatë e re në të cilën Pacolli nuk do të rrijë duarkryq

Haradinaj: Është krijuar një situatë e re në të cilën Pacolli nuk do të rrijë duarkryq

Kandidati për kryeminishtër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, duke folur për takimin që ka pasur me kryetarin e AKR-së Behgjet Pacollin  ditëve të fundit, tha se është krijuar një situatë e re politike në të cilën Pacolli nuk do të rrijë duar kryq po do të veproj.

Sipas Haradinajt, gjatë këtij takimi Pacolli i ka thënë se e ndjen përgjegjësinë si AKR dhe si Behgjet për gjendjen në vend dhe që nuk dëshiron të pres pafundësisht.

“Pra, që do t’i japë një afat kohor zhbllokimit të institucioneve dhe do të veprojë. Kjo është një situatë e mirëseardhur dhe dihet mirëfilli se një situatë e tillë, një rol dhe platformë që e shprehu presidenti Pacolli, për një Qeveri gjithëpërfshirëse dhe një platformë qeverisëse janë interes i vendit sot, dhe ne jemi të hapur për këtë qasje të re të zotit Pacolli dhe e mirëpresim”, tha Haradinaj në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Behgjet Pacolli edhe më heret pati deklaruar se për vendin do kishte me qenë më me rëndësi krijimi I një qeverie gjithëpërfshirësë.

Ndërkaq Haradianj i pyetur nëse ka marrë premtim nga AKR se do ta jap votën për kryetarin e Kuvendi dhe formimin e Qeverisë, tha se ai mund ta konfirmoj vetëm se “është një ndjenjë e përgjegjësisë nga vet zoti Pacolli, pra e ndjen përgjegjësisë që gjendja nuk mund të shkojë në pa kufi kështu”. /Insajderi.com