Demaj “aktron” ministrin serioz, angazhon shef kabineti dhe një këshilltar

Demaj “aktron” ministrin serioz, angazhon shef kabineti dhe një këshilltar

Emanuel Demaj nuk pret punë të lehtë në punën si shef i përkohshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe për këtë ai ka paralajmëruar emërimin e një shefi të kabinetit dhe një këshilltari javën e ardhshme.

I emëruar të enjten si ushtrues i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme, Demaj do ta zëvendësojë në krye të diplomacisë kosovare Enver Hoxhajn, i cili tani është deputet i zgjedhur në Kuvendin e Kosovës dhe e ka lënë në gjysmë mandatin e ministrit.

Demaj mund të shërbejë në këtë pozitë për një kohë të pacaktuar, deri në formimin e qeverisë së re. E qeveria e re mund të formohet edhe të hënën, kur është thirrur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit.

Pikërisht të hënën, Demaj ka në plan që të bëjë hapin e parë të rëndësishëm si shef i ministrisë. Në një intervistë për Insajderin, anëtari i Partisë Shqiptare Demokristiane(PSD) ka thënë se do të emërojë shefin e kabinetit të tij dhe një këshilltar personal.

“Jo nuk e kam emëru ende askënd. Shefin e kabinetit edhe një këshilltar do t’i emërojë të hënën, por ende s’është proceduar asgjë”, ka thënë Demaj.

Pavarësisht se puna e tij në ministri mund të zgjasë dhjetë ditë apo vetëm një ditë, Demaj shprehet i gatshëm të jap më të mirën e tij për aq kohë sa do të jetë në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme, raporton Insajderi.

“Unë dua të punoj me njerëz të besueshëm edhe nëse qeveria do të zgjas vetëm një ditë. Stafin teknik e kam pasur, por të hënën i emërojë edhe të tjerët”, u shpreh Demaj për Insajderin, derisa deklaroi se si shef i diplomacisë do t’i shtyej përpara “procestet që kanë ngelur”.

Para se të merrte pozitën e ushtruesit të detyrës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, Demaj ka shërbyer si zëvendësministër në këtë ministri. /Insajderi.com