Policia arreston dy persona që rregulluan monumentin e Skënderbeut

Policia arreston dy persona që rregulluan monumentin e Skënderbeut

Shoqata “Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar” ka rregulluar disa shkronja dhe numra të monumentit të heroit Gjergj Kastrioti në Prishtinë, si dhe kanë vendosur dy elemente tjera kombëtare, flamurin kombëtar dhe hartën e Shqipërisë së Bashkuar.

Por, Policia e Kosovës ka shoqëruar për stacionin policor, kryetarin Tahir Veliu dhe disa anëtarë të Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar për këtë veprim.

Për këtë ka reaguar edhe kryetari i shoqatës së intelektualëve mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”, Nue Oroshi. Ai ka kërkuar nga policia që t’i lirojë sot dy të arrestuarit nga shoqata “Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar”.

“Ka disa muaj që persona të panjohur kanë shkatërruar shkronjat në monumentin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Për këtë vandalizëm s’ka pas asnjë reagim as nga policia e Kosovës as nga institucionet përgjegjëse, qoftë për ta bërë dënimin e masakruesve të shkronjave të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, dhe për t’i kapur ata e futur para drejtësisë, qoftë për të bërë rregullimin e shkronjave dhe emrit në mënyrën e duhur nga ana e Institucioneve të Kosovës. Kështu që fillimisht Shoqata ‘Trojet e Arbrit’ falënderon dhe përkrah ‘Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar’, për marrjen e iniciativës dhe vendosjen e shkronjave në vendin e duhur. Kjo është bërë për shkak të neglizhencës së institucioneve të Kosovës, të cilët edhe pse për ditë kalojnë nëpër sheshin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Prishtinë, por e kthejnë kokën në anën tjetër për të mos parë këtë vandalizëm”, thuhet në reagimin e shoqatës së intelektualëve mbarëshqiptare “Trojet e Arbrit”.

“Është brengosës fakti se si Policia e Kosovës muaj të tërë nuk arritën që t’i kapin aktorët e rastit vandal, e në anën tjetër burgosin udhëheqësit e ‘Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar’, të cilët bënë një gjest simbolik dhe atdhetar. Shoqata e Intelektualëve Gjithshqiptarë ‘Trojet e Arbrit’ fton Policinë e Kosovës që sot t’i lëshojë në liri veprimtarët kombëtar, dhe t’iu kërkojë falje për këtë arrestim të pakuptimtë”, thuhet në reagimin e kryetarit të Shoqatës së Intelektualëve Mbarshqiptarë “Trojet e Arbrit”, Nue Oroshi