Nënkryetari i PDK-së: Presim që nesër të dakordohemi edhe për ditën e seancës

Nënkryetari i PDK-së: Presim që nesër të dakordohemi edhe për ditën e seancës

Takimi i nesërm konsultativ në mes të koalicionit PAN dhe të kryesuesit të Kuvendit Adem Mikullovci pritet që të rezultojë në arritjen e caktimit të datës së seancës së radhës.

Nënkryetari i PDK-së thotë se shpresojnë në një dakordim mes palëve. Por nuk dihet nëse aty do të shkojë dikush tjetër përveç PAN-it. Ky takim vjen pas dështimit të pesë seancave të kaluara për t’u formuar institucionet.

Ndonëse kishte thënë se nuk do të ketë mbledhje konsultative, kryesuesi i seancës Adem Mikullovci ia ka mundësuar PAN-it që të mërkurën (nesër) të mblidhen për të diskutuar rreth kërkesës së tyre rreth seancës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, thotë për Gazetën Express se shpreson që të nesërmen të arrihet edhe deri te caktimi i datës së seancës.

“Ne shpresojmë se përmes dakordimit në takimin konsultativ do të përcaktohet data e mbajtjes se seancës”, është shprehur Memli Krasniqi.

Ndërkohë që në takimin e thirrur për nesër e ka mohuar pjesëmarrjen e tyre Lëvizja Vetëvendosje, derisa qëndrimin e tyre nuk e ka bërë të ditur ende koalicioni LAA.

Por, një takim tjetër pritet që të zhvillohet ditën e nesërme nga koalicioni LAA, i cili do të organizojë një tryezë diskutimi në Kuvendin e Kosovës, e ku temë kyçe do të jetë bllokada drejt formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Ata në tryezën e tyre nuk e kanë ftuar vetëm koalicionin PAN.

Deri më tani janë pesë seanca të cilat kanë dështuar në zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të nënkryetarëve, pasi koalicioni PAN nuk ka pranuar që të marrin pjesë. Arsyeja për këtë, sipas tyre, ishte se seancat janë thirrur njëanshëm.

Sot, PAN-it i është bërë edhe një kërcënim nga zyrtari i Nismës, Milaim Zeka. Ky i fundit ka thënë se nëse PAN-i nuk sjell emër për kryeparlametar deri të hënën, Nisma të largohet nga koalicioni.