Kadri Veseli sfidohet më 24 gusht

Kadri Veseli sfidohet më 24 gusht

Në seancën e 24 gushtit pritet që të ndodh konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Po atë ditë do të propozohet Kadri Veseli për kryeparlamentar nga koalicioni PAN.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj shprehet i bindur se Kuvendi konstituohet të enjten e ardhshme.

Ai ka bërë të ditur se nuk ka kandidat tjetër për kreun e Kuvendit përveç Kadri Veselit.

“Atë ditë do e propozojmë kandidatin për Kryetar të Kuvendit që është Veseli dhe kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, që do të thotë bëhet konstituimi i Kuvendit”, është shprehur Hoxhaj për Express, derisa nuk ka preferuar të flasë nëse i kanë siguruar numrat për seancën e radhës.

Kujtojmë se seancat e kaluara dështuan që të mbaheshin pasi koalicioni PAN kishte munguar. Kjo ka bërë që të mos ketë kuorum të mjaftueshëm për vazhdimin e seancës.

Kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci vendosi dje në takimin konsultativ që të pranojë kërkesën e PAN-it që seanca të mbahet kur ata e kanë vendosur.

Zgjedhjet janë mbajtur më 11 qershor pasi Qeveria Mustafa u rrëzua nga Parlamenti përmes një mocionit të opozitës.