Paqja e paqenë: Liria?

Paqja e paqenë: Liria?

Paqja publike që imponohet si variacion durimi, nuk mund të imponohet përveç përkohësisht si pritje e rrezikshme. Ajo në fakt nuk ka të bëjë me paqen publike. Është agresion i dukshëm me veshje e dekor paqësor. Paqja e vërtetë publike ndërtohet me vullnete të të gjithëve duke pasur më parë vënien në dispozicion edhe të përgjegjësisë individuale edhe institucionale për fatkeqësitë, ndërsa pajtimi, nënkupton mospajtim dhe mosmiratim të krimit të ndodhur.

Mos përmendja dhe ndëshkimi i së keqes është me e keqe se humbja, që nuk duhet pasur vend në një hapësirë të lirë demokratike, ku respektohet pikërisht liria e fjalës. Se kur përmendej Himleri dhe Hitleri, pra edhe kur përmendet sot Millosheviqi dhe Mlladiqi, kjo “ ndihmon për të vënë dialogun për këtë çështje, pra krimin”. Krimi nuk e shpërlan Beogradin nëse veshet me petka mendafshi “demokratik”. Emrat dhe veprat tregojnë pamjen trishtuese për atë që ka ndodhur dhe po ndodh. Edhe kur përmendet Tadiqi e Qosiqi, Shesheli e Koshtunica, Xhinxhiqi e Tadiqi,   Nikoliqi e Vuçiqi,  kjo ndihmon për të rikthyer dialogun për krimin.  Ishin krijues kreativ dhe mbrojtës të pakthyeshëm të krimit  në Kosovë.

Duke i përmendur fjalët e tyre për të ardhmen tonë, ne ia kujtojmë vetvetes se duhet punuar shumë më tepër pikërisht për të vlerësuar lirinë, lirinë e secilit individ, aq më shumë, për të menduar se sa e brishtë dhe e atakuar është ajo. Ne në këtë mënyre bëjmë dialog të domosdoshëm me vetveten për të diskutuar dhe mos pranuar Monologun serb (të Beogradit) për Kosovën.

Në fund të fundit, sot ka pak rëndësi nëse ata veten e quajnë demokratë. Me mision të shenjtë për të ndryshuar dhe korrigjuar të ardhmen Tonë, ata vazhdojnë me politikën pragmatike nacional-klerikale, duan të imponojnë edhe më tej agjendën e tyre politike-listën me temat që duhet të trajtohen në jetën publike, qoftë të brendshme qoftë të jashtme (ndërkombëtare) edhe për shqiptarët e Kosovës. Madje, edhe të shqiptarëve në tërësi. Edhe të Ballkanit. Ky është Monologu serb që deri tash ka funksionuar si dialog i bashkësisë ndërkombëtare me shqiptarët. Qeveria e Serbisë gjithmonë ka pasur listë të gjatë temash politike, për ta ndjekur kalamendur, deri në cakun e saj final.