“Terroristët s’do të fitojnë këtu” – kosovari rrëfen për sulmin në Finlandë

“Terroristët s’do të fitojnë këtu” – kosovari rrëfen për sulmin në Finlandë

Një ditë pas sulmit në Turku të Finlandës ku mbetën të vdekur dy persona dhe u lënduan tetë persona të tjerë, qytetarët e Turkut kanë nderuar viktimat në vendin ku ndodhi sulmi.

Një grup i banorëve të qytetit finlandez vendosën kurora me lule dhe ndezën qirinj në nderë të viktimave që humbën jetën të premtën, njofton Insajderi.

Në një artikull të publikuar sot nga mediumi finlandez Svenska.fi, janë intervistuar edhe dy banorë të Turkut që kanë prejardhje nga Kosova.

Një shofer i autobusit i cili vjen nga Kosova dhe dëshiron të jetë anonim tregon për njerëzit që kanë lëvizur me të dje, pas sulmit që ndodhi.

“Njerëzit ishin ndryshe dje”, thotë ai, raporton Svenska.fi.

Isak Kelmendi, i cili gjithashtu vjen nga Kosova, kërkon që policia të jetë më e dukshme rrugët e Finlandës.

“Me më shumë policë, aktet terroriste nuk duhet të ndodhin, ne duhet të vazhdojmë të luftojmë, terroristët nuk do të fitojnë”, deklaroi Isak Kelmendi.

Sulmi në Turku ishte i dyti në Evropë, pas sulmit që ndodhi në Barcelonë të enjten.  /Insajderi.com