Katër kandidatët e mundshëm që ia “luhatin karrigen” Lladrovcit

Katër persona përfliten që mund të jenë sfiduesit e Ramiz Lladrovcit në garën për kryetar të Drenasit, më 22 tetor të këtij viti. Naim Bazaj, Xhavit Drenori, Bislim Zogaj dhe Isa Xhemajlaj janë konkurrentët e mundshëm për kreun e Drenasit.

Katër kandidatët e mundshëm që ia “luhatin karrigen” Lladrovcit

Katër persona përfliten që mund të jenë sfiduesit e Ramiz Lladrovcit në garën për kryetar të Drenasit, më 22 tetor të këtij viti.

Ndonëse të pa zyrtarizuar ende, Ramiz Lladrovci, kryetari aktual i Drenasit, nuk do ta ketë aspak lehtë për ta fituar edhe një herë besimin e qytetarëve të kësaj komune – gjithmonë nëse ai do të zyrtarizohet nga partia si kandidat për kryetar të komunës.

Për të kandiduar në Komunën e Drenasit, në zgjedhjet lokale, ka shprehur hapur kandidaturën e tij edhe anëtari i PDK-së, Naim Bazaj. Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Drenasit që në zgjedhjet e parakohshme  në dhjetorin e kaluar ishte tërhequr nga gara në momentin e fundit, ka thënë se do të kandidojë për kryetar të Drenasit.

Bazaj, në muajin dhjetor të vitit të kaluar kishte thirrur gjatë fushatës zgjedhore simpatizantët e tij në një tubim – ku pritej të prezantohej si kandidat i pavarur për kryetar të komunës – papritur kishte zyrtarizuar rikthimin e tij tek PDK-ja. Ishte shfaqur krahas Kadri Veselit në njërin nga restorantet e Drenasit.

Por, Lladrovci do ta këtë rival të fortë edhe njëherë tjetër Xhavit Drenorin. Asamblistin e komunës që në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit të kaluar kishte dalur i treti. Drenori kishte arritur të shkaktojë befasi në Drenas, kur si kandidat i pavarur kishte fituar mbi 12 për qind të votave.

Në anën tjetër, për kandidat për kryetar të Drenasit përflitet që NISMA do ta nominojë sërish Isa Xhemajlajn.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të muajit dhjetor, Xhemajlaj u radhit i dyti duke e dërguar Drenasin në balotazh. Hera e parë që Drenasi, i cili njihej si bastion i fuqishëm i PDK-së, po shkonte në balotazh; ani pse në balotazh, NISMA nuk arriti të shkaktonte senzacion.

Megjithatë, para të gjithave Lladrovci nuk e ka të sigurt rikandidimin për kryetar të Drenasit. Ai po has në kundërshtime nga njerëz brenda partisë së tij, PDK. Bislim Zogaj, nga kjo parti, ka shprehur dëshirën haptazi se do dëshironte të kandidojë në zgjedhjet e 22 tetorit, madje, ai gjatë ditës së djeshme tha se nëse Lladrovci kandidohet përsëri nga PDK-ja, nuk do ta mbështeste.

“Puna ma me përgjegjësi dhe pozicioni më i mundshëm për të bërë diçka për qytetarët është pozita e kryetari. Nëse nuk jam kandidati i preferuar i partisë po do të jetë Ramizi mbështetja ime për këtë kandidatë do të mungojë”, ka deklaruar Zogaj, të premten.