Enveristët për Ollurin: Je gjakprishur e faqezi

Enveristët për Ollurin: Je gjakprishur e faqezi

Lëvizja Popullore Shqiptare për kultivimin e veprimtarisë revolucionare të Enver Hoxhës, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të politikanëve e gazetarëve, të cilat kanë të bëjnë me ish-komandantët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, të cilët u pasuruan pas luftës.

Përmes një postimi udhëheqësi i kësaj partie, Remzi Hasani, ka konsideruar se në jetën politike aktualisht është duke u shpërfaq një gjuhë e tipit të Sllobodan Millosheviqit.

Ai ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, i cili në seancën konstituive përmendi pasurimin e disa ish-komandantëve te luftës.

Po ashtu, ai ka reaguar edhe ndaj gazetarit Parim Olluri, i cili së fundi ka shkruar rreth ish-komandantëve dhe pasurimit të tyre pas luftës.

“Maja e poshtërimeve deklarative është pohimi i Parim Ollurit i cili 2 dekada pas rënies së komandantit legjendar Adem Jashari me familjen e tij paska zbulu se po të ishte gjallë ai do të ishte bërë milionerë kurse Hamz Jashari privatizues i pronave publike. Askush nuk mund të thotë me saktësi se çdo të kishte bërë Ademi dhe familja Jashari në këto rrethanat e ditëve të sotme”, ka shkruar Hasani.

Hasani  përmes këtij postimi ndër tjerash ka thënë se “po të ishte gjallë Adem Jashari gjallë, dhe ti të bëje një deklaratë aq poshtëruese ndaj dikujt tjetër si ndaj familjes Jashari bindja ime do të ishte se ai së pari ty do ti këpuste veshët dhe nuk do të grushtonte, por do të rrafte shpulla gojës sepse vetëm një ndëshkim të tillë poshtërues e meriton një faqezi si ti”

“Po pse more gjakprishur faqezi nuk merresh me qindra e mijëra hajdut që sillen vërdallë kudo rreth e rrotull por mundohesh gjoja me analiza të stërholluara ta përbuzësh familjen më emblematike që mbi sipërfaqe e ka nxjerr historia më e lavdishme e luftës për çlirim në tokat e shqiptarisë siç është ajo e Jasharajve. Mos harro more faqezi se Milosheviqit I shkuan shumë dëshmitarë në gjykatën e Hagës”, thuhet në reagimin e tyre.

Drejtori i gazetës online Insajderi, Parim Olluri është sulmuar të mërkurën e kaluar nga tre persona, në afërsi të banesës së tij, rreth orës 22:00 të mbrëmjes. /Insajderi.com