Zbulohet depoja në Vushtrri ku ‘çmontohen’ veturat e kontrabanduara

Zbulohet depoja në Vushtrri ku ‘çmontohen’ veturat e kontrabanduara

Në vazhdën e angazhimeve të vazhdueshme në fushën e parandalimit të veprimtarive kriminale, njësia rajonale e auto-krimeve, në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë njofton se ka realizuar një kontroll në një lokacion, ku kryesisht ushtrohet veprimtari e shitjes së pjesëve të automjeteve.

“Veprimet policore ishin ndërmarrë në përputhje me autorizimet përfshirë edhe autorizimin nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, me ç’rast kontrolli është realizuar në zonën e Vushtrrisë, në një nga depot ku ushtrohet veprimtari e çmontimit dhe shitjes së pjesëve të veturave”, njofton Avni Zahiti, zëdhënës i policisë në Mitrovicë.

Sipas tij, hetuesit policorë mbi dyshimet e ngritura nga shfrytëzuesi i veturave kanë marrë dokumentacionin  përkatës të secilës veturë, njëherit është kërkuar nga autoritetet doganore të specifikojë të dhënat për secilën veturë.

Nga autoritete doganore është raportuar se dokumentacioni i 11 veturave  ka rezultuar i dyshuar për shmangie të obligimeve doganore, vlera e të cilave kalon shumën mbi 17.000 euro.

“Me të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i çështjes, i cili ka sugjeruar që ndaj pronarit të depos  të iniciohet procedurë për vepër penale ’shmangie të obligimeve doganore’”, ka thënë Zahiti.