AAK nuk siguron se nesër zgjidhet Kadri Veseli

AAK nuk siguron se nesër zgjidhet Kadri Veseli

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj ka konfirmuar se edhe AAK’ja do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive, të enjten në ora 10:00, ashtu siç do të veprojnë edhe deputetët e dy partive tjera, pjesë e koalicionit PAN.

Megjithatë, Nitaj, ndonëse një ditë para mbajtjes së seancës, lë të kuptohet se PAN ende nuk i ka të siguruara ende votat për kryeparlamentar.

“Nesër deputetet e PAN do te marrin pjese ne seancë, por suksesi i votimit te kryetarit dhe nënkryetarëve te Kuvendit, nuk varet nga seanca, por nga vetëdija dhe përgjegjësia e deputeteve që është e paracaktuar me kushtetute”, tha Nitaj.

Tutje, ai tha se nëse deputetëve nuk u pëlqen modeli për zgjedhjen e kryeparlamentar i cili përcaktohet me kushtetutë, atëherë bën thirrje që të ndryshohet nga Kuvendit, për mandatin tjetër.

“Situata rreth krijimit te institucioneve duhet te marre zgjidhje. Askush nuk e ka komoditetin te sillet ne shpërpushje me kushtetutën dhe vendimin e gjykatës kushtetuese. Sipas kornizës ligjore kryetari i Kuvendit i takon PAN-it dhe nuk është ne diskrecionin e askujt qe ta ndërrojë këtë normative kushtetuese. Nuk mund te jete ne diskrecionin e PAN-it, t’ia u caktoj te tjerëve se kush do te jete nënkryetar nga LAA ose VV p.sh., por as ata nuk mund ta kushtëzojnë PAN-in, se ke do ta caktojnë ata kryetar”, tha tutje zëdhënësi i AAK’së.

“Forcat politike duhet te lëvizin nga ky pozicion e ta zhbllokojmë situatën e krijuar rreth konstituimit te plote te Kuvendit. Çështja e krijimit te qeverise është tjetër, dhe aty kundërshtarët politik mund ta tregojnë fuqinë e tyre politike e jo ne mosgatishmërinë e formalizmit te një kandidature qe është e përcaktuar edhe me kushtetute”, tha të mërkurën Nitaj për Gazeten Express.

Ndryshe, shefi i partisë së Nitajt, Ramush Haradinaj që është mandatari i koalicionit PAN, në një konferencë paradite tregoi për mundësinë e shtyrjes se seancës të së enjtes, ani pse kjo datë është caktuar nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit.

Seanca e të enjtes është thirru nga Kuvendi për në ora 10:00. /GazetaExpress/.