Ferati: PDK po m’i ‘vjedh’ idetë për Mitrovicën

Ferati: PDK po m’i ‘vjedh’ idetë për Mitrovicën

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Fehmi Ferati, ka thënë se e tërë dega e PDK-së në këtë komunë po merret me të.

“Një degë e tërë e PDK-së në Mitrovicë po merret me vetëm një kandidat për kryetar të VV-së! Unë jam në Durrës për dy ditë me familje dhe pak punë”, ka shkruar Ferati në Facebook.

“E kuptoj shqetësimin tuaj për rezultatin e 22 Tetorit dhe ju këshilloj të relaksoheni sepse jeta vazhdon edhe përtej angazhimeve në politikë. Shqetësime kam edhe unë!”, ka shtuar ai.

Madje ai ka hedhë dyshime te kandidatja e PDK-së, Valdete Idrizi, duke thënë se para disa muajsh i kishte treguar asaj në detaje për projektet e tij. Kurse tash, sipas Feratit, detajet e tyre po i vëren te projektet e PDK-së.

“Para një muaji kandidatja juaj për kryetare e ka ditur që unë do kandidoj për kryetar komune në Mitrovicë me propozimin e VV-së! Unë i kam folur shumë dhe i kam prezantuar në besë shumë ide dhe projekte për qeverisjen e Mitrovicës, ndërkohë po vërej detaje të ideve dhe projekteve të mia, po megjithatë si zemërgjerë qe jam… Me t’hallall pasi që janë për Mitrovicën tonë”, ka shkruar kandidati Ferati në llogarinë e tij në facebook./Insajderi.com