Demaj mirëpret ri-emërimin e Bushatit për Ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë

Demaj mirëpret ri-emërimin e Bushatit për Ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Emanuel Demaj, ka mirëpritur ri-emërimin e homologut të tij shqiptar, Ditmir Bushati, për Ministër të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

Ai ka vlerësuar ri-emërimin e tij në krye të diplomacisë shqiptare si të rëndësisë së veçantë në konsolidimin e mëtejmë të Republikës së Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike dhe komunitetin ndërkombëtarë.

“Me kënaqësi të veçantë mora lajmin për ri-emërimin e Ministrit Bushati edhe për një mandat në krye të diplomacisë shqiptare. Uroj që vazhdimi i punës së Tij të jetë i rëndësisë së veçantë, jo vetëm për integrimin e plotë të Republikës së Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike, por, edhe në vazhdimin e mbështetjes së fuqishme për konsolidimin e mëtejmë të Republikës së Kosovës dhe  integrimin e saj në strukturat Euro-Atlantike dhe komunitetin ndërkombëtarë, ashtu siç Ministri Bushati ka dëshmuar me punën e tij gjatë mandatit të kaluar”, ka thënë ministri Dema.

Po ashtu ai është shprehur se “Ministrit të ri-emëruar Bushati i ofroj mbështetjen time të plotë dhe paralelisht me këtë shpreh gatishmërinë dhe vullnetin tim për vazhdimin e bashkërendimit dhe koordinimit të çështjeve të interesit  të përbashkët të të dyja shteteve ”, ka shtuar Ministri Dema. /Insajderi.com