Pas Kamenicës, PDK ndërron edhe kandidatin për Gjakovën

Pas Kamenicës, PDK ndërron edhe kandidatin për Gjakovën

Partia Demokratike e Kosovës e ka ndërruar edhe një kandidat për kryetar komune. Partia e Kadri Veselit ka hequr dorë nga kandidatura e Hajdar Beqës, për të garuar me Ramandan Hotin.

Lajmin e ka konfirmuar vetë deputeti më i ri në këtë legjislaturë, Hajdar Beqa, i cili thotë se ka vendosur që ta mbajë pozitën e deputetit, duke mos kandiduar për kryetar komune.

Madje thotë se ka qenë nismëtar që Hotin ta propozojë për kryetar të Gjakovës nga radhët e PDK-së.

“PDK, dega në Gjakovë, kandidat zyrtar për kryetar të komunës së Gjakovës e ka nënkryetarin, Ramadan Hoti, i cili fuqishëm do të dalë në këtë zgjedhje. Vendimi i tij ka qenë i mirëpritur, fillimisht nga unë që e kam propozua Hotin. Ai ka vlerat dhe të gjitha vetitë për ta udhëhequr komunën”, ka thënë Beqa për Gazetën Express.

Tutje Beqa ka theksuar se do të vazhdojë ta mbajë pozitën e deputetit të zgjedhur në legjislaturën e gjashtë.

“Unë në zgjedhjet e 11 qershorit, i kam fituar votat si deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe nuk dua që t’i zhgënjej votuesit e mi.  Më është dukur e pandershme që pasi kam marrë vota si deputet, të shkoj e të garojë për kryetarë komune”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë se PDK-ja në Gjakovë deri në qershor të këtij viti ka qenë pjesë e qeverisjes së Mimoza Kusari-Lilës, por kjo e fundit pak para dorëheqës nga komuna kishte shkëputur njëanshëm bashkëpunimin me PDK-në.

Gazeta Insajderi kishte raportuar se si PDK-ja e kishte ndërruar edhe kandidatin për kryetar të Komunës së Kamenicës.

Kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) publikoi listën e kandidatëve për kryetarë të komunave, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, në këtë listë figuronte edhe emri i Emin Krasniqit. Ish-zëvendësministri i Infrastrukturës ishte përzgjedhur nga PDK-ja që të kandidonte në Kamenicë.

Tre ditë pas publikimit të emrit të Krasniqit si kandidat zyrtar të PDK-së për Komunën e Kamenicës, Insajderi raportoi për një skandal të Emin Krasniqit që nga koha kur shërbente si zv/ministër i Infrastrukturës.