Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar akt barabar dhe të papranueshëm sulmin ndaj bashkëshortes së ministrit Blerand Stavileci, derisa ka thënë se deklaratat e ngutshme të PDK-së lënë dyshime se rasti mund të jetë i inskenuar.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu ka thënë se inskenimi i mundshëm i këtij sulmi, nuk do të përbënte risi. Sejdiu ka thënë se ngutia e PDK-së për të akuzuar VV-në për ngjarjen, tregojnë për papjekurinë e partisë që udhëhiqet nga Kadri Veseli.
“Ngutia e PDK-së për të akuzuar aktivistët e VV-së nuk përbën vetëm papjekuri të skajshme politike, por edhe lë hapësirë për dyshime rreth inskenimeve të mundshme qëllimkëqija, çka me siguri se nuk do të përbënte risi”, ka thënë nënkryetari i VV-së.
Vetëvendosje ka thënë se “sulmi ndaj gruas së Blerand Stavilecit është akt qyqar e i papranueshëm. Aktet e tilla kriminale janë të dënueshme, prandaj organet e rendit dhe drejtësisë duhet urgjentisht të hetojnë këtë rast dhe të nxjerrin ata që qëndrojnë prapa tij.”
Sejdiu ka ftuar policinë dhe prokurorinë që të gjejnë fajtorët, derisa ka shprehur një kërkesë për PDK-në.
“Ne ftojmë Policinë dhe Prokurorinë që sa më parë të gjejnë fajtorët dhe t’i vënë para përgjegjësisë, kurse ftojmë PDK-në që t’i japë fund akuzave të pabaza dhe tendencave për të nxitur konflikt në shoqërinë tonë”, ka thënë Sejdiu. /Insajderi.com