Komuna e Lipjanit ka njoftuar se ka dhënë tender për blerjen e kifleve për nxënës të shkollave fillore. Por, Komuna ka bërë të ditur se kiflet e blera do të shkojnë vetëm për nxënësit e komunitetit RAE (Rom, Ashkali dhe Egjiptas).
Siç njofton Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), Komuna që udhëhiqet nga Imri Ahmeti i LDK-së ka bërë të ditur se kiflet për nxënësit e komunitetit RAE do të shpërndahen nga fillimi i këtij viti shkollor, deri më 31 dhjetor.
Shkollat në të cilat do të jepen kiflet për nxënësit e komunitetit RAE janë: Shkolla Fillore “Ismajl Luma” – Lipjan, Shkolla Fillore “Fehmi Agani” – Medvec, Shkolla Fillore “Zenel Hajdini” – Gadime, Shkolla Fillore “Shtjefen Gjeqovi” – Janjevë dhe Shkolla Fillore “Hajredin Bajrami” – Magure.
Në këto shkolla zhvillojnë mësime edhe nxënësit shqiptarë.
“Furnizimi me ushqim (kifle 80 gram) për çdo ditë mësimi për nxënësit e komuniteteve Rom Ashkali dhe Egjiptas në shkollat e komunës së Lipjanit (Ismajl Luma Lipjan, Fehmi Agani Medvec, Zenel Hajdini Gadime, Shtjefan Gjeqovi Janjev, Haredin Bajrami Magure) ku ata i vijojnë mësimet nga 1 shtatori 2017 deri më 31 dhjetor 2017”, thuhet në njoftimin për dhënie kontrate, të publikuar në KRPP.
Për tenderin në fjalë kishte aplikuar vetëm një kompani, raporton Insajderi. Komuna e Lipjanit ka harxhuar 1 mijë e 358 euro për “furnizimin me kifle të Komunitetit RAE”, raporton Insajderi.
Data e nënshkrimit të kontratës është vendosur për 4 shtator. /Insajderi.com