Rrëfimi i Mustafës për shantazhet nga SHIK-u i Kadri Veselit

Rrëfimi i Mustafës për shantazhet nga SHIK-u i Kadri Veselit

Kryeministri në ikje dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përfshirë shumë elementë në një letër të tijën të publikuar në profilin e tij në Facebook, ku mes të tjerash ka rrëfyer edhe për organizatën e njohur si Shërbimi Intelegjent i Kosovës SHIK.

SHIK-u ka qenë i udhëhequr nga Kadri Veseli, kryetari i tanishëm i PDK-së, pasardhësi i Hashim Thaçit.

Sipas Mustafës, gjatë kohës sa ai ka qenë kryetar i Prishtinës ka qenë pa të drejtë i akuzuar për korrupsion dhe akuza të tjera që sipas tij kanë qenë dhe janë të pabaza.

E për krejt këto Mustafa thotë se kanë qenë të inskenuara nga SHIK-u.

“Kalova situate të vështira sa isha në Komunën e Prishtinës. Kishte ditë që makinat e policisë së instruktuar nga njerëzit e SHIK-ut në polici, kapës të shtetit, deri 12 herë në ditë defilonin para komunës, merrnin në pyetje, arrestonin e lironin zyrtarë me faj e pa faj. Shantazhonin!”, ka shkruar Mustafa.

Më pas Mustafa ka folur edhe për një gazetar të cilin nuk e ka përmendur me emër e që sipas tij i ka thënë se një prokuror do ta ndjekë djalin e Mustafës vetëm pse është djali i tij.

“Më pat ardhur në zyrë një gazetar, pronar i një portali të tanishëm, dhe më tha që e ndjen për obligim të më njoftojë se një prokuror i Prokurorisë Speciale, me emër e mbiemër, i kishte rrëfyer se ka vendosur të ndjek djalin tim dhe se i ka thanë atij se nuk ka elemente për ndjekje penale , por pa marrë parasysh nuk do ta lë pa e burgosur, pasi është djali i Isa Mustafës. Në fakt ma mbajtën Besnikun, djalin tim, 7 vjet nën hetime e gjyqe, e qitën në ballinat e të gjitha gazetave dhe ekranet televizive, gjithnjë si djalin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe më vonë të Kryeministrit të Kosovës dhe në fund e shpallën të pafajshëm”, ka thënë ai./Insajderi.com