
Këtë mëngjes, shefja e BE-së për diplomaci dhe siguri Federica Mogherini ka takuar në Bruksel presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ata janë takuar në kuadër të mëngjesit joformal të punës, ku nikoqire është shefja e diplomacisë së BE-së, Mogherini.
Në Komisionin Evropian më herët kanë thënë se të dy presidentët do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, duke pasuar pajtimin e muajit korrik se do të fillojnë të përgatisin një periudhë të re të këtyre bisedimeve, shkruan lajmi.net.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, qenë takuar më 3 korrik dhe pas atij takimi thanë se janë pajtuar që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të hyjnë në një periudhë të re, ku do të diskutohen çështje më me peshë sesa aspektet teknike.