LDK dhe Vetëvendosje e ftojnë Pacollin, ai thotë se do shkojë me Haradinajn

LDK dhe Vetëvendosje e ftojnë Pacollin, ai thotë se do shkojë me Haradinajn

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë përafruar qëndrimet e tyre në ndërtimin e një platforme qeverisëse, ndërsa i bënë thirrje Behgjet Pacollit të AKR-së të kthehet në koalicion, pavarësisht se pak orë më parë ai i ndau rrugët me LDK-në.

Avdullah Hoti i LDK-së, pas takimit të sotëm me Dardan Sejdiun e VV-së tha se këto dy subjekte do të kenë takime të përditshme për ta hartuar një platformë.

“I bëj ftesë AKR-së të na bashkohet që nga nesër për ta draftuar platformën tonë qeverisëse. Jemi të autorizuar ta arrijmë marrëveshjen e përbashkët dhe ta çojmë këtë marrëveshje në nivelet më të larta”, tha Hoti.

“Shumë shpejt mund të dalim me platformë të shkruar për qeverisje të përbashkët. Besoj që pas 6 dështimeve të seancës është parë që PAN nuk e ka shumicën e nevojshme në Kuvend”, tha Hoti

Edhe Dardan Sejdiu i Vetëvendosjes tha se “vendi ka nevojë për platformë dhe qeveri që e kthen zhvillimin ekonomik në binarë, shëndetësinë e arsimin”.

“Shumica shqiptare duhet të jetë shtylla e qeverisë. Edhe Pacolli duhet të na bashkëngjitet’, tha Sejdiu.

Por, Pacolli ka thënë se do të formojë qeverinë me Ramush Haradinajn, i cili është i nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-NISMA.

“AKR nuk bën koalicion as me PDK dhe as me dikë tjetër por ndërton marrëveshje qeverisë me mandatarin Ramush Haradinaj, me një mori propozimesh për reforma të cilat vendin do ta ridrejtojnë në binarët e duhur”, ka thënë Pacolli, në një letër që i ka dërguar Kryesisë së partisë së tij, AKR. /Insajderi.com