Pacolli e quan LDK-në parti “totalisht e paorganizuar”

Pacolli e quan LDK-në parti “totalisht e paorganizuar”

Sekretari organizativ i partisë Aleanca Kosova e Re, Rrahim Pacolli e ka mirëpritur ndarjen nga koalicioni LAA edhe pse kur ai ishte krijuar e kishte quajtur koalicion të shpresës, duke iu referuar bashkimit me LDK-në dhe Alternativa.

Por tash, thotë se LDK-ja është parti e paorganizuar.

“Unë, si shef i Shtabit të AKR-së gjatë fushatës për këto zgjedhje, në koalicion me LDK-në, kam vërejtur se ky subjekt politik është totalisht i pakoordinuar, duke ndikuar kështu edhe numër më të vogël të deputetëve nga radhët e AKR-së”, është shprehur ai në Facebook.

Sipas tij, ky koalicion, vetëm sa i ka shkaktuar dëme AKR-së.

“Si Sekretar Organizativ i partisë Aleanca Kosova e Re, mirëpres ndarjen nga koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativën. Ky koalicion vetëm sa i ka shkaktuar dëme AKR-së. Sikur në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të 11 qershorit, AKR-ja të garonte si e vetme, sigurisht se do të merrte 10 mandate në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar ai./Insajderi.com