
Behgjet Pacolli ka krahasuar veten me ish-aktivistin e të drejtave të njeriut, afro-amerikanin Martin Luther King, pas arritjes së marrëveshjes për krijimin e koalicionit me koalicionin PDK-AAK-NISMA.
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR) ka thënë se njëjtë sikurse Martin Luther Kingu, edhe ai vendosi të mos bëhej përgjegjës për krizën e vendit të tij.
Martin Luther King kishte qenë njëri nga zërat më të fuqishëm të të drejtave të njeriut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet ’60. Ai ka qenë lider i Lëvizjes për të Drejtat Civile në SHBA.
“Martin Luter King, heroi i revolucionit social në SHBA ka thënë: Mund të ndodhë se ju nuk jeni përgjegjës për situatën në të cilën gjendeni. Por do të bëheni përgjegjës, nëse nuk kryeni asgjë për ta ndryshuar. Unë vendosa të bëja diçka. Unë nuk doja të isha përgjegjës për krizën e Kosovës, por të merrja përgjegjësi për zgjidhjen e saj..”, deklaroi Pacolli, raporton Insajderi
Pacolli po ashtu ka thënë se AKR ka vendosur të marrë përgjegjësi, për të shmangur shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja. Ka thënë se nuk kishte tjetër alternativë, duke shtuar se interesi i Kosovës është para interesit partiak.
“Proceset ku ka hyrë Kosova kërkonin përgjegjësi, dhe unë mora përgjegjësi. Unë di t’i zhvilloj ato. Interesi i Kosovës, interesi kombëtar është mbi interesin partiak të gjithsecilit. Unë u këshillova me miqtë ndërkombëtarë, miqtë më të rëndësishëm të Kosovës, me qytetarë të ndryshëm dhe mora vendimin e duhur”, ka thënë Pacolli.
Pacolli ka shkruar se e ka garancinë nga Haradinaj për heqjen e vizave, anëtarësimin në UNESCO, Interpol dhe OKB.
“Unë kam thënë se nuk do të hy në një qeveri ku nuk do të kem përgjegjësi të mëdha.
Me kryeministrin Haradinaj, kam garanci se do t’i zhvilloj këto përgjegjësi, në të mirë të Kosovës: për anëtarësimin e Kosovës në OKB, për liberalizimin e vizave, për hyrjen në UNESCO, në Interpol, etj”, deklaroi presidenti i AKR-së. /Insajderi.com