Deputeti i LDK-së që përfiton nga marrëveshja e AKR-së me PAN-in

Deputeti i LDK-së që përfiton nga marrëveshja e AKR-së me PAN-in

Largimi i AKR-së nga koalicioni me LDK-në mund ta forcojë këtë të fundit. Në bazë të asaj që është raportuar deri më tani, AKR-ja në ‘Qeverinë Haradinaj’, përveç tjerash, do ta ketë edhe postin e zëvendëskryeministrit.

Marrë parasysh se ky është një post shumë i rëndësishëm, si njeriu i dytë i Qeverisë, atëherë potencialisht në këtë pozitë mund të jetë kreu i kësaj partie, Behgjet Pacolli.

Të njëjtën pozitë Pacolli e kishte mbajtur edhe gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit përgjatë viteve 2010-2014, duke u bërë zëvendës i tij.

Çdo post qeveritar që mund ta marrin deputetët e AKR-së, kjo parti mund ta humbë fuqinë në Kuvend dhe i ndihmon rritjes së LDK-së.

Kjo për shkak se, nëse Pacolli bëhet zëvendëskryeministër i Qeverisë, apo edhe ministër në ‘Qeverinë Haradinaj’, atëherë me automatizëm ai e humb mandatin e deputetit.

Kjo do t’ia mundësojë LDK-së që të rritet për një deputet më shumë në Kuvend.

Në bazë të listës së deputetëve të KQZ-së të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 11 qershor, në radhë është kandidati i LDK-së për deputet, Imet Rrahmani, i cili ka qenë ish-ministër i Shëndetësisë.

Në këto zgjedhje Rrahmani kishte fituar 7 mijë e 272 vota.

Duke marrë parasysh se katër deputetët e AKR-së janë meshkuj, atëherë, nëse secili prej tyre e humb mandatin e deputetit, atëherë duhet të zëvendësohet me një kandidat për deputet mashkull, që në këtë rast është Imet Rrahmani nga LDK-ja.

Kurse, nëse llogaritet kuota femërore, atëherë AKR-ja do të ishte më komode, për shkak në radhë është kandidatja e saj për deputete, Albena Reshitaj, e cila i kishte fituar 5 mijë e 630 vota.

Sipas të dhënave të deritashme, pesë ministri do t’i ketë nën kontroll Aleanca Kosova e Re (AKR) në qeverinë Haradinaj.

Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik do t’i takojnë AKR-së në qeverinë e ardhshme.

Ramush Haradinaj nuk do të ketë të drejtë që të shkarkojë ministrat apo zëvendësministrat që janë emëruar nga Aleanca Kosova e Re (AKR), me të cilën ka nënshkruar marrëveshje sot në mbrëmje.

Në marrëveshjen mes tyre, përfshihen disa pika, mes tyre edhe harmonizimi i menjëhershëm i Programit Qeverisës 2017-2021.

“Me kërkesë të liderit të AKR-së emërohen dhe shkarkohen të gjithë kuadrot që burojnë nga kjo marrëveshje e që janë përfaqësues të AKR-së sikundër janë ministrat, zëvendësministrat etj”, thuhet në Pikën 5 të marrëveshjes mes AKR-së dhe PAN-it.

Kjo pikë e marrëveshjes thekson faktin se Presidenti i AKR-së do ketë fuqi mbi të gjithë ministrat që ai i emëron vet.

Po ashtu, AKR do të ketë shtatë zëvendësministra: zv. ministër i Jashtëm; zv. ministër i Brendshëm; zv. ministër i Ambientit dhe Planifikimit; zv. ministër i Mirëqenies Sociale; zv. ministër i Shëndetësisë; zv. ministër i Kulturës; zv. ministër i Arsimit./Insajderi.com