Nëna e dy fëmijëve, tutore e prostitutave online

Nëna e dy fëmijëve, tutore e prostitutave online

Shtatë të arrestuarit për prostitucion virtual në Tiranë tre ditë më parë, dolën dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u mësuar me masën e sigurisë. Për gjithë të arrestuarit u vendos masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Ndërkohë, fitimi mujor i këtij aktiviteti të paligjshëm arrinte deri në katër milionë lekë të vjetra. Prostitucioni virtual apo online, mësohet se kryhej nga pesë vajza, të cilat u ndaluan tri ditë më parë nga policia e kryeqytetit.

Sipas prokurorisë, ato kryenin biseda dhe veprime erotike para një kamere, pasi paguheshin kryesisht nga shtetas të huaj në llogari bankare përmes internetit.

Me kërkesë të prokurorit Enklid Gjini, gjykata liroi nga qelia administratoren e studios erotike, 32-vjeçaren Dafina Tresa, nënë e dy fëmijëve të mitur. Prokurori e argumentoi kërkesën me ndryshimet e pësuara në Kodin Penal, ku përjashtohet masa “arrest në burg” për nënat me fëmijë nën 3 vjeç.

Ndërkohë, para gjykatës Tresa u shfajësua duke thënë se nuk e dinte që veprimtaria e saj përbënte vepër penale. “Sa për vajzat, ato kanë bërë gjithçka me dëshirën e tyre. Nuk kam detyruar njeri”, i tha ajo gjyqtarit të gatshëm. Tresa do të hetohet për akuzën e “mbajtjes së lokaleve për prostitucion” dhe “shfrytëzim të prostitucionit”. Ndërkohë, për bashkëpunëtorin e saj njëkohësisht edhe bashkëshort, 33-vjeçari Artur Bakalli, Gjykata caktoi masën “arrest në burg”.

Ai mohoi të kishte dijeni se çfarë ndodhte në apartamentin e marrë me qira nga Tresa në një pallat pranë maternitetit “Nëna Geraldinë”. Nga qelia u liruan edhe pesë vajzat e akuzuar për “prostitucion”, pasi shisnin në internet biseda dhe veprimeve të nxehta. Për to u caktua masa “detyrim për paraqitje”.

Operacioni policor i koduar “Chat line 3” u finalizua dy ditë më parë në Policia e Tiranës. Vajzat e reja, kryesisht studente, shfrytëzoheshin për prostitucion virtual, i cili zhvillohej përmes logimit në faqen e internetit “Adult Ëork”. Secila nga vajzat ka pasur një profil personal në këtë faqe. Pas përzgjedhjes së një klienti dhe kryerjes së pagesës, ato vazhdonin bisedën dhe përmbushjen e dëshirave të tij në distancë.

Të arrestuarit janë shtetasja Dafina Tresa, 32 vjeçe, banuese në Tiranë, administratore e studios “Chat Line”; Artur Bakalli, 33 vjeç; Xh. B., 21 vjeçe; A. B., 20 vjeçe; E. D., 21 vjeçe; K. B., 19 vjeçe dhe A. K., 19 vjeçe, banuese në Tiranë. Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 17-vjeçares B. D., banuese në Tiranë.

Nga hetimet të cilat zgjasnin prej disa kohësh, ka rezultuar se shtetasja Dafina Tresa, 32 vjeçe, prej një kohe të gjatë punësonte vajza të moshave të reja dhe i shfrytëzonte ato për prostitucion virtual, i cili zhvillohej ndërmjet logimit në faqet “Adult Ëork”, aktivitet të cilin e kryenin në një apartament në bulevardin “Bajram Curri”.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 9 njësi kompjuteri, 9 ekrane kompjuteri, 9 kamera për komunikim video online, dy lap-top, 16 lodra plastike të seksit dhe sende të tjera të cilat përdoren si lodra seksuale. Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për ndjekje të mëtejshme për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion” dhe “Prostitucion”