Kabineti i Haradinajt me të akuzuar për krime kundër shtetit

Fatmir Limaj është zv/kryeministri i propozuar i qeverisë Haradinaj që ka aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndërsa i proporzuari për ministër të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, po ashtu ka një aktakuzë të ngritur për veprën penale "konflikt interesi".

Kabineti i Haradinajt me të akuzuar për krime kundër shtetit

Kur Ramush Haradinaj propozoi emrat e kabinetit të tij sot në Kuvendin e Kosovës, dy prej emrave të propozuar për kabinetin e tij qeveritar kanë të ngritura aktakuza për dyshime se i kanë shkaktuar dëme shtetit të Kosovës.

Njëri prej tyre është propozuar për postin e zëvendëskryeministrit, ndërsa tjetri është propozuar për ministër të Zhvillimit Ekonomik.

Fatmir Limaj është zv/kryeministri i propozuar i qeverisë Haradinaj që ka aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndërsa i proporzuari për ministër të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, po ashtu ka një aktakuzë të ngritur për veprën penale “konflikt interesi”.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Limajt dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, në vitin 2014, nën dyshimin për keqpërdorime gjatë kohës sa ishte Ministër në MTPT. Pretendohet se buxheti i MTPT është dëmtuar për 890 mijë euro.

Ndërkohë, Valdrin Lluka – i propozuari i qeverisë Haradinaj për ministër të Zhvillimit Ekonomik – ka një çështje të hapur me drejtësinë në Kosovë, raporton Gazeta Online Insajderi. Lluka ka të ngritur një aktakuzë për veprën penale “konflikt i interesit”.

Lluka vjen nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR), parti kjo që nënshkroi një marrëveshje koalicioni me PDK-në, AAK-në e NISMA-n një javë më parë.

Ai dyshohet nga Prokuroria e Shtetit se në cilësinë e zyrtarit të lartë në MTI, njëkohësisht edhe Kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, më 23 mars 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për OJQ-në “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ kishte qenë themelues.

Avokati i Valdrin Llukës, Arton Qerkini ka konfirmuar të premten për Insajderin se aktakuza është dorëzuar në gjykatë nga prokuroria.

Gjithashtu edhe anëtari i PDK-së, Besim Beqaj, që është duke u hetuar për korrupsion, ka marrë besimin e partisë së tij për tu vënë në krye të ministrisë së re që do të krijohet, në qeverinë e Ramush Haradinajt – atë të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Beqaj pritet që brenda këtij viti të akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim të të drejtave të barabarta të qytetarëve të Republikës së Kosovës, lidhur me rastin “Dosjes së Shefave”.

Qeveria e Haradinajt do të votohet sonte në Kuvendin e Republikës së Kosovës. /Insajderi.com