Zëvendëskryeministri i ri, Dardan Gashi, u është përgjigjur akuzave të shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, se Qeveria e Kosovës u ndërtua përmes kontrabandës së deputetëve dhe bekimit të Beogradit.
Gashi, i cili ka qenë dikur zyrtar i LDK-së, i ka bërë thirrje Avdullah Hotit, të mos e merr me turr se mund të rrëzohet.
Madje, ka ironizuar me deputetin Hoti, duke thënë se do ta ketë fundin sikur Isa Mustafa me kompani.
“Dullë, mos u bo nervoz! Ty lumi t’ka pru, lumi t’hjekë! Si shumë tjerë t’firmës t’Isës! Mos e merr me turr se rrxohesh”, ka shkruar Gashi.
Gashi mban edhe një pozitë të ministrit në Qeverinë me 21 ministra të Ramush Haradinajt.
“Z. Haradinaj duhet të përgjigjet se çfarë përfaqëson Dardan Gashi në këtë koalicion, duke e ditur historinë e tij, tash këtij personi i është caktuar Ministria e Diasporës dhe është shtuar edhe resori i investimeve strategjike. Kjo ndoshta është e kuptueshme, pasi ky person ka qenë dhe mbetet në shërbim të realizimit të interesave strategjike të protagonistëve të këtij grupimi biznesor qeverisës”, ka thënë Hoti sot gjatë fjalimit të tij në Parlament.