Zv/kryeministri maqedonas s’ndjehet fajtor për tenderin e fituar nga firma e tij

Zv/kryeministri maqedonas s’ndjehet fajtor për tenderin e fituar nga firma e tij

Zëvendëskryeministri, Koço Angjushev mohon konfliktin e interesave meqë ai është pronar, por jo edhe drejtues I ”FERO Invest”, ndërmarrje e cila u paraqit në tenderin milionësh të ELEM-it, për furnizimin e shiritave të gomës për ”REK BITOLA”.

Lidhur me atë nëse kjo dhe kompanitë tjera të tij do të paraqiten në tenderët shtetërorë, Angjushevi shprehet se kjo mbetet të jetë vendim i menaxherëve të ndërmarrjes, në përputhje me strategjitë për veprim dhe zhvillim. Ai nuk ndjen kurrfarë përgjegjësie morale, pasi siç shprehet, gjithçka është sipas ligjit.

“Unë në përputhje me ligjin për parandalimin e korrupsionit kam për obligim të tërhiqem nga kompanitë. Askund në atë ligj nuk është theksuar se duhet të pushojë të jem pronar i kompanive. Kjo do të thotë se askush nuk duhet të jetë nënkryetar i qeverisë meqë secili është pronar i diçkaje. Unë nuk i drejtoj kompanitë dhe si nënkryetar i qeverisë nuk dua të kem asnjë benefit nga udhëheqja ime në qeveri”- deklaroi Zëvendëskryeministëri Koço Angjushev.

Në pyetjen e gazetarit të Alsat -M se në çfarë mënyre dhe me cilat argumente do ta bindë opinionin se nga pozicioni që ushtron, nuk do të ndikojë në marrjen e tenderëve shtetërorë.

“Ekziston ligji për furnizime publike, ku ka ankand transparent publik dhe ftoj të gjithë opinionin dhe juve si media që ta ndiqni këtë”- përgjigjet Koço Angjushev.

Për VMRO-DPMNE-në, është i paqëndrueshëm dhe nënçmues arsyetimi i zëvendëskryeministrit Angjushev se ai nuk qenka drejtues, por vetëm pronar i ndërmarrjes ”FERO Invest”, duke konsideruar se paratë sërish do të përfundojnë në xhepin e tij. Për ta tenderi është kriminal dhe konsiderojnë se duhet të anulohet, ndërkaq Angjushevi të jep dorëheqje.

“Është evidente se qeverinë kriminale të Lidhjes socialdemokrate e interesojnë vetëm tenderët dhe pasurimi enorm i klaneve të pushtetit. Angjushevi brengoset vetëm për fitimin e ndërmarrjeve të tij, meqë e pamë nuk është i aftë të punojë në interes të qytetarëve. Prokuroria duhet të vërtetojë përgjegjësi penale lidhur me atë se si është ndikuar dhe në cilat kushte tenderin e ka marrë ndërmarrja e zëvendëskryeministrit Angjushev”- deklaroi Svetllana Kollariq nga VMRO-DPMNE.

Nga ELEM-i e iformuan opinionin se tenderi ka filluar në kohën e udhëheqjes paraprake të kompanisë të vendosur nga VMRO-DPMNE-ja, dhe se tashmë janë anuluar dy ankande. Për javën e ardhshme paralajmëruan ankand të ri për tenderin e shiritave të gomës për ”REK Bitolla”, në të cilin mund të marrin pjesë të gjithë të interesuarit.