Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se nuk ka informacion zyrtar nga KQZ-ja që është diskualifikuar për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor të këtij viti.
“Nuk jam i njoftuar për këtë punë, e di që bëhet fjalë për 140 euro për një dënim të KEK-ut. Por ende nuk kam informatë zyrtare”, ka thënë Berisha për Gazetën Insajderi.
Ai ka bërë të ditur se gjykata e kishte shpallur fajtor për lidhje ilegale të rrymës në biznesin e tij dhe ishte dënuar më 140 euro gjobë.
Për këtë vendim Berisha ka thënë se është ankuar në Gjykatën e Apelit, por që nuk di më shumë rreth lëndës.
“Gjykata më ka shpallë fajtor, unë jam ankuar në Gjykatën e Apelit, sepse nuk mu ka dok normale ajo. Kjo ka të bëjë lidhur me biznesin tim të cilin që 9 vjet e menaxhoj. Normalisht jam pronar i objektit. Kam bërë ankesë dhe e kam lënë këtë punë si diçka dytësore”, ka shtuar më tej ai.
Sipas Berishës, krejt kjo propagandë po bëhet për ta eliminuar nga gara politike.
“Nuk e di nëse është vepër e rëndë penale, por para tre muajsh me këto ligje kam qenë në zgjedhjet parlamentare. Kjo ka të bëjë që, me çdo kusht eliminimin nga gara për t’jua liruar bandave me e marrë Prizrenin”, ka thënë tutje Berisha për Insajderin.
Ismaili, i cili monitoron punën e KQZ-së, ka thënë se kjo është bazuar në një vendim të tetorit të vitit 2015.
“Zafir Berisha decertifikohet nga KQZ, bazuar në një vendim përfundimtar të datës 12.10.2015. Mirë që u decertifiku, por ku ka qenë ky vendim më herët për zgjedhje qendrore?”, ka shkruar Ismaili në Facebook./Insajderi.com