Qeveria e kaluar, për gati tri vite ka shpenzuar mbi 5.9 milionë euro nga buxheti i shtetit. Kështu së paku në një llogari që ka bërë KDI-ja, në një postim në faqen zyrtare të organizatës në Facebook.
Sipas kësaj organizate, kjo shumë është shpenzuar vetëm në paga për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat, ministrat pa portofol, zëvendësministrat dhe këshilltarët politikë.
“Nga kjo shumë nuk janë llogaritur edhe shpenzimet e tjera që kanë bërë këta zyrtarë shtetërorë si: mëditje për udhëtimet jashtë vendit, bileta të aeroplanit, pagesa të telefonave, dreka dhe darka, përdorimi i makinave zyrtare, shfrytëzimi i eskortave policore në rastet të caktuara, etj.”, thuhet në këtë njoftim.
Qeveria që shkoi kishte 21 ministri dy prej të cilave pa portofol. Edhe Qeveria e sapo zgjedhur ka po këtë përbërje në numra me gjithsej 21 ministri dhe pritet të bëjë shpenzime të ngjashme.
“KDI i bën thirrje Qeverisë së zgjedhur ta procedojë sa më shpejt në Kuvend Ligjin për Qeverinë, e me të cilin duhet të parashihet struktura dhe përbërja e kabinetit qeveritar. Ky ligj do të ndihmonte edhe sqaronte kompetencat e qeverisë”, thuhet në njoftim.