Sado që falja e gjakut mes dy familjeve mund të tingëllojë si një akt përparimi në shoqërinë kosovare, pjesëmarrja e liderëve që udhëheqin shtetin dhe atyre që pretendojnë ta udhëheqin shtetin në një akt të pajtimit duke e cilësuar si akt burrnie, tregon për nivelin provincial dhe të prapambetur të shtetit në të cilin jetojmë. Aty ku Kanuni ende jeton dhe burrnia cilësohet si vlerë e të jetuarit. Shteti i së drejtës nuk egziston.
Pa e ditur historinë e gjakmarrjes mes familjeve Dukaj e Tolaj nga Drenoci i Deçanit, historia e shoqërisë kosovare që jeton me rregulla të prapambetura është një histori e tmerrshme.
E enjte 22 prill 2016. Lideri i njërës prej partive opozitare që haptazi shpreh pretendimin për të drejtuar një shtet modern, me krenari poston një video në të cilën ai shihet teksa mban fjalim në një akt të pajtimit të këtyre dy familjeve.
Nuk është sqaruar as mënyra sesi këto familje kanë përfunduar duke e vrarë njëri-tjetrin e as se sa njerëz kanë humbur jetën si pasojë e kësaj gjakmarrje.
Por ajo çfarë dihet është fakti se kjo “falje e gjakut” ka ardhur si pasojë e të jetuarit nën rregullat e njërit prej ligjeve më të prapambetura por edhe krenarie për kosovarët e zhytur në propagandën e të jetuarit në një shtet ligjor. Pra gjakmarrja është akt i dalë nga Kanuni i Lekë Dukagjnit, një prej përmbledhjeve të rregullave më të prapambetura në historinë e shoqërisë shqiptare.
Por kjo “kushtetutë e turpit” nuk është e ngulitur vetëm në kokën e qytetarit të thjeshtë që si pasojë e një shtetit ku funksionimi i ligjit është zero detyrohen të jetojnë me rregullat e Kanunit, por edhe në kokën e njerëzve të cilët na Qeverisin bazuar në rregullat e Kushtetutës dhe ligjeve të një shteti të supozuar të jetë i drejtë.
Dhe kjo është faktuar më së miri nëpërmjet aktit të “faljes së gjakut” mes dy familjeve viktimë e llojit të udhëheqësve të shtetit të cilët për ironi janë ndërmjetësuesit e këtij pajtimi.
Siç shihet në video, në këtë akt pajtimi në ballë të sallës janë të ulur, një zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës, një kryetar Komune dhe një lider i opozitar që pretendon ta drejtoj shtetin.
Dhe, pjesëmarrja e Bajram Gecajt, zëvendësministër i Pushtetit Lokal, Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës së Deçanit dhe Ramush Haradinajt si kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është një akt me të cilin ne duhet të krenohemi.
Për çfarë të krenohemi?
Po e zëmë se “familjet në gjak” nuk janë vrarë fare. Ose e kanë vrarë nga një për secilën familje. Tjetri ka qenë në radhë. Por kjo ka fare pak rëndësi. E rëndësishme është që shteti, duke filluar nga komuna ku jetojnë këto dy familje e deri tek Qeveria që administron jetën e tyre bashkë me një lider politik që vjen nga ajo anë, kanë dështuar të instalojnë një sistem të tillë që deri më tani do të duhej ta shpallte të vdekur, ligjin e Kanunit.
Do të duhej të arrestonte menjëherë personat që vrasin për gjakmarrje. T’i ofrojë siguri familjarëve që kanë vuajtur mungesën e lirisë pikërisht nga shkaku se nuk kanë siguri për të jetuar: sepse mund t’i vrasë tjetri. Vetëm për një arsye: marrjen e gjakut. Një arsye e pështirë për një shoqëri e cila tregon se ka dështuar të krijoj një shtet të së drejtës.
Dhe normalisht kur njerëzit që e kanë për detyrë ta krijojnë këtë mënyrë të jetesës dështojnë, ata bëhen propaganduesit më të mëdhenj të të jetuari me rregullat e turpit.
Vetëm po t’i shikosh fytyrat e Haradinajt, Gecajt dhe Selmanajt të ulur në atë tavolinë kupton mjaftë.
Nevojitet distancim nga vetja si person, për të qenë krenar që je ulur në një tavolinë që dëshmon dështimin tënd.
Por është e kundërta. Haradinaj, Gecaj e Selmanaj bashkë me disa hoxhallarë që gjithashtu propagandojnë rregulla mesjetare të të jetuarit, janë krenar që po pajtojnë dy familje që deri më tani si qëllim të jetës kanë pasur vrasjen ose mbrojtjen nga vrasja.
E gjithë ky akt turpi, normalisht nuk do të mund të jetë kaq madhështor pa përfshirjen e një flamuri kombëtar në mes. Për t’ia qitur kulmin turpit dhe hipokrizisë: turp dhe patriotizëm.
Normalisht e gjithë kjo është një akt burrnie.
“Të falësh është burrëri, është trimëri! Burrëri e trimni pashë sot te Familjet Dukaj e Tolaj nga Drenoci i Deçanit, që ia shtrinë dorën e pajtimit Familjes Gjikolli nga Peja!”, ka shkruar Haradinaj në përshkrimin e videos në të cilën mijëra qytetarë të këtij vendi e komplimentojnë për aktin.
E komplimentojnë sepse ata në fakt nuk presin që drejtësia të veprojë. Sepse kanë humbur besimin në të dhe një ngjarje e tillë e bazuar në Kanun dhe burrni është diçka e zakonshme. Një turp i jashtëzakonshëm.
Por të ndalemi edhe pak të burrnia. E gjithë dhoma ku është bërë falja e gjakut shihet të jetë e mbushur me burra.
Kur Haradinaj thotë “të falësh është burrëri” tregon shumë për mendësinë e tij. Ai ende jeton me Kanun. Edhe dy kolegët e tij një nga niveli qendror e tjetri lokal mendojnë njëjtë. Sepse nëse do të ishte e kundërta asnjëri prej tyre nuk do të lejonte që në një mënyrë kaq të ligë dhe të poshtër, të injorohet jeta e jo burrave në ato dy familje.
E ajo çfarë dihet është se në këtë proces të gjakmarrjes, gratë dhe fëmijët vuajnë më së shumti. Jo për shkak se janë të rrezikuar (Pasi Kanuni nuk e njeh si të barabartë gruan e as fëmijën me njeriun, madje i trajton si pronë ase barrë) por sepse duke qenë të pavlerë në këtë shoqëri, vuajnë pasojat e burrnisë dhe akteve burrnore.
Në të njëjtën kohë, dëshmohet se edhe i gjithë shteti jeton në këtë koncept të pështirë të burrnisë që është krijuar me shumë ndikim nga Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Pra një lidership që nuk e njeh gruan si njeri as vuajtjet e saja si njerëzore por si diçka që varet komplet nga burri dhe aktet burrnore të tij.
Akte që i mbështet shteti. Madje i proklamon si të tilla në atë që e quajnë Republikë të drejtës për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Të së drejtës në secilin kuptim.
E në fakt, kjo Republikë nuk është gjë tjetër pos një Republikë e Kanunit, e burrnisë dhe e turpit.