“Çelësi” godet rrjetin kriminal, kapen 135 kg marihuanë

“Çelësi” godet rrjetin kriminal, kapen 135 kg marihuanë

Policia e Kosovës ka konfiskuar një sasi prej 135 kilogramë narkotikë të llojit marihuanë në rajonin e Ferizajt, më saktësisht në rrugën Gjilan-Ferizaj, në fshatin Bibaj.

Përmes një konference të jashtëzakonshme, policia ka prezantuar materialet të cilat janë konfiskuar gjatë operacionit të quajtur “çelësi” raporton Insajderi.

Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës ka konfirmuar se në këtë operacion janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e drogës, armëve, pajisje tjera ku po ashtu ka pas edhe persona të arrestuar.

Ndërsa kapiteni i këtij operacioni , Reshat Murseli, ka treguar se pas informacioneve të marra me qëllim të personave të dyshuar me datën 11 shtator, rreth orës 11 kanë zbatuar operacionin më saktësisht në rrugën Gjilan- Ferizaj.

“Drejtoria e Trafikimit me narkotikë, ka arritur që përmes  bashkëpunim me qytetar të konfiskoj 135 kg marihuanë, ku disa persona të dyshuar në një kamion me mobile janë munduar që të trafikojnë substanca narkotike të llojit marihuanë”, ka thënë Murseli.

“Janë konfiskuar 40 dyer të cilat kanë qenë të mbushura me mairhuanë. Ndërsa më vonë është arrestuar një person V.Z nga rajoni i Gjilanit dhe rreth orës 15 janë arrestuar edhe tre persona tjerë”, ka treguar Murseli për zhvillimin e operacionit.

Gjatë këtij operacioni policia njofton se kanë konfiskuar një kallashnikov.

Prejardhja e narkotikëve është nga vendet fqinj përkatësisht Shqipëria e cila kishte për synim tregun Zviceran. /Insajderi.com