Vetëm edhe një deputet për ta rrëzuar qeverinë

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit nuk sollën asgjë më shumë sesa një shumicë të thjeshtë në Kuvend prej 61 votash. Deri te kjo erdhi pasi koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma (PAN) nuk mori vota të mjaftueshme sa për t’i themeluar vetë institucionet.

Vetëm edhe një deputet për ta rrëzuar qeverinë

Kjo solli deri te një bllokadë tremujore, pasi PAN nisi të kërkonte deputetë nga partitë tjera. I duheshin 61 vota për ta votuar kandidatin për kryetar Kuvendi, Kadri Veseli, dhe për kabinetin qeveritar të Ramush Haradinajt.

Brenda një kohe shumë të shkurtë ndodhën disa lëvizje deputetësh, duke e zvogëluar kështu fuqinë e PAN-it në Kuvend.

Tash për tash ky koalicion ka vetëm shumicën e thjeshtë prej 61 votash.

Humbja e deputetëve të PAN-it ndodhi pasi lideri i AKR-së, Behgjet Pacoli, e cila është në koalicion me PAN-in, mori pozitën e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm.

Marrja e këtyre pozitave në Qeverinë Haradinaj ia humbi mandatin e deputetit. AKR ishte në koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe Alternativën me një përbërje të përzier të kandidatëve për deputet.

Duke e marrë për bazë këtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e njeh si listë të përbashkët, pavarësisht se tash AKR-ja e ka prishur koalicionin me LDK-në dhe ka hyrë në koalicion me PDK-në.

Por humbja e mandatit të Pacollit si deputet, kjo shkoi në favor të LDK-së, pasi deputeti i saj, Imet Rrahmani e fitoi mandatin. Sepse në listën e koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa ky ishte në radhë si deputet.

AKR-ja e humbi votën e dytë pas lidhjes së koalicionit me PAN, pasi deputeti i saj, Korab Sejdiu, tha se do të veprojë në Kuvend si deputet i pavarur.

Tash AKR-ja mbeti me vetëm dy deputetë nga katër sa i kishte në fillim.

Themelimi i institucioneve me vështirësi të mëdha, madje edhe me pazaret me Listën Serbe, krijoi pakënaqësi të mëdha brenda koalicionit PAN-AKR.

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, që është pjesë e koalicionit PAN, është shprehur i gatshëm që t’i bashkohet opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Ai ka thënë se, nëse opozita arrin t’i sigurojë 60 vota, ai do ta ofrojë votën e tij për t’u bërë mjaftueshëm vota sa për ta rrëzuar qeverinë.

Në një llogaritje të thjeshtë, marrë parasysh këto rrethana, del se kundër koalicionit PAN-AKR janë 60 deputetë.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit Vetëvendosja fitoi 32 deputetë, duke u bërë partia më e madhe në vend.

Kurse LDK-Alternativa tash kanë 26 deputetë, përfshirë këtu edhe futjen e Imet Rrahmanit (LDK) në Kuvend.

Deputeti Korab Sejdiu doli nga koalicioni për shkak të pakënaqësive dhe mungesës së parimeve në ish-partinë e tij, AKR. Dhe nëse kjo mund të llogaritet si votë kundër qeverisë, atëherë shtohen deputetët kundër saj.

Gjithashtu, gatishmëria e deputetit të Nisëm, Zafir Berisha, për ta rrëzuar qeverinë, shton edhe më shumë gjasat për një gjë të tillë.

Në këto rrethana, opozita potencialisht i ka 60 vota. I duhet edhe një votë e ndonjërit prej deputetëve për ta siguruar shumicën e thjeshtë, e mjaftueshme për ta rrëzuar qeverinë me mocionin mosbesimi./Insajderi.com